Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi mazhoranca përfshiu në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit shqyrtimin e miratimin e draftit të PS për hartën e re territoriale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi me ironi ka shkruar se harta territoriale e propozuar nga PS i ngjan ‘tenderave të Ramës e Belinda Ballukut’, si dhe ‘Vlora Hysenit që fikte radarët për Ergysin e saj’.
Për Bardhin, ndarja e re territoriale shuan nga harta 15 bashki për interesin personal të kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se kriteri i kësaj ndarjeje është interesi elektoral i Ramës dhe besnikëria e kryebashkiakëve ndaj tij, jo nevojat e qytetarëve.
LEXO EDHE: “Komision për KAYO”, mazhoranca rrëzon kërkesën e Bardhit, Top Channel zbulon përgjigjen e Kuvendit!
Reagimi i Bardhit:
Harta territoriale e PS-së është e paracaktuar, njësoj si tenderat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Njësoj si biznesi me Ron Jefetin, të cilit Rama i dhuron industrinë e armëve me garanci shtetërore.
Harta territoriale e PS-së i ngjan Vlora Hysenit: ajo fikte radarët për Ergysin e saj dhe të Ramës; kjo shuan nga harta 15 bashki për pushtetin personal të Kryeministrit. Kriteri i kësaj ndarjeje është interesi elektoral i Ramës dhe besnikëria e kryebashkiakëve ndaj tij, jo nevojat e qytetarëve.
Kjo është pyetja që ngre ligji i PS-së: pse interesat e njerëzve të pushtetit gjejnë gjithmonë zgjidhje, ndërsa bashkitë e qytetarëve fshihen?