“Dallga” e nacionalizmit: Çfarë i ndodh Europës nëse Franca e Spanja shkojnë djathtas
Një anije mallrash në pronësi turke, që transportonte drithë nga Ukraina drejt Italisë, është goditur me dron dhe më pas është fundosur, pasi u përfshi nga flakët.
Dy marinarë humbën jetën, 11 u shpëtuan, ndërsa një tjetër rezulton ende i zhdukur. Anija “Royad Mammadov”, me flamur të Saint Kitts dhe Nevis, ishte nisur vetëm tri orë më parë nga porti ukrainas i Izmailit dhe po lundronte drejt Ravenës, kur u godit rreth 20 milje nga brigjet rumune.
Shpërthimet u pasuan nga një zjarr i fuqishëm në bord, ndërsa autoritetet rumune nisën një operacion të gjerë shpëtimi me anije dhe helikopterë.
Tre prej marinarëve të shpëtuar, me trauma të shumta, u transportuan në spitalin e Konstancës, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Ende nuk dihet zyrtarisht se kush qëndron pas sulmit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë, duke thënë se anija civile ishte goditur nga dy dronë rusë në ujëra neutrale. Ai e cilësoi ngjarjen një “sulm horror” dhe kërkoi rritjen e presionit ndaj Moskës për të garantuar sigurinë e lundrimit dhe të eksporteve ushqimore.
Episodi vjen pas një serie incidentesh me dronë pranë brigjeve rumune dhe rrit edhe më tej tensionin në Detin e Zi, një arterie jetike për eksportin e drithit ukrainas drejt tregjeve ndërkombëtare.
Ambasadori turk në Bukuresht, Özgür Kıvanç Altan, e ka quajtur ngjarjen “të trishtueshme dhe shqetësuese”, duke theksuar se Turqia mbështet sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lundrimit në Detin e Zi. Presidenti Rexhepe Tajip Erdogan ka reaguar më parë për sulmet ndaj anijeve civile në Detin e Zi, duke i cilësuar ato “të papranueshme”.
Në fund të shtatorit, pati një tjetër sulm po në Detin e Zi ndaj një tjetër anijeje turke, ‘Aroyat’, incident ky pas të cilit rezultoi i zhdukur inxhinjeri i dytë në bordin e saj, shqiptari Erkan Nika.
Top Channel