web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tirana që qeveriset nga hologrami

6 Tetor 2026, 18:18, Editorial CNA

Tirana që qeveriset nga hologrami

Sot kemi hyrë zyrtarisht në një fazë të re të historisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë nuk ka nevojë të jetë në Bashki, madje nuk ka nevojë as të jetë në Tiranë e as përballë kamerës dhe, me sa duket, nuk ka më nevojë as të jetë fizikisht i pranishëm për të mbajtur një fjalim. Mjafton një kompjuter, pak inteligjencë artificiale dhe një kasetë e parapërgatitur.

Erion Veliaj doli sot me zë dhe figurë të krijuar nga Inteligjenca Artificiale dhe mbajti një fjalim për qytetarët e Tiranës. Një kryebashkiak virtual, i prodhuar në mënyrë digjitale, foli për Tiranën, për shkollat, fëmijët, drekën falas dhe për gjithçka tjetër që një kryetar bashkie duhet të thotë kur nuk mund të jetë fizikisht në detyrë.

Po ta shohësh me pak humor, kjo nuk është aspak një risi për Erion Veliajn, por thjesht versioni më i avancuar i një metode që e ka përdorur prej vitesh.

Erion Veliaj ka qenë gjithmonë shumë më i pranishëm në ekran sesa në zyrë. Ai ka pasur aq shumë aktivitete, përurime, udhëtime, dalje televizive dhe kaseta të parapërgatitura, sa në një moment dukej sikur Tirana kishte dy kryetarë bashkie, një që jetonte nëpër ekrane dhe një tjetër që nuk dihej ku ndodhej fizikisht.

Sot kemi thjesht një përmirësim teknologjik. Ndërsa dikur duhej kaseta, sot mjafton IA.

Madje, Erion Veliaj e ka provuar këtë ndarje mes realitetit dhe ekranit në një mënyrë që është vështirë të imagjinohet edhe nga një skenarist humori.

Ditën kur u arrestua, ndërsa agjentët e BKH-së i shkuan në zyrë, qytetarët e shihnin në televizor duke inauguruar një çerdhe.

Tirana që qeveriset nga hologrami
Inaugurimi i fundit i Veliajt

Një pjesë e Tiranës po shikonte në ekran kryebashkiakun duke inauguruar çerdhen, ndërsa në realitet kryetari po arrestohej. Në ekran ishte Erion Veliaj që fliste, buzëqeshte dhe inauguronte. Në realitet ishte Erion Veliaj që po shoqërohej nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në fakt këta të fundit po dyshonin kë po shoqëronin në ato momente.

Tirana që qeveriset nga hologrami
Momenti i arrestimit të Erion Veliajt, 10 shkurt 2025

Dy Erion Veliaj në të njëjtën kohë. Shumë dhe për ata që shtiren sikur e duan.

Njëri në televizor, tjetri në duart e drejtësisë. 

Por sot kemi kaluar edhe një nivel më lart. Nuk na duhet më as Erion Veliaj i vërtetë! Na mjafton një i tillë i prodhuar nga kompjuteri!

Nëse dikush do t’i kishte thënë një qytetari të Tiranës disa vite më parë se një ditë do të shihte kryetarin e Bashkisë duke mbajtur fjalim me Inteligjencë Artificiale ndërsa ai ndodhet në paraburgim, me siguri do të mendonte se po dëgjonte ndonjë histori absurde për të ardhmen. Sot kjo është administrata e kryeqytetit.

Tirana ka hyrë në epokën e kryetarit virtual.

Kryetari fizik është në paraburgim, kryetari televiziv është në arkiv, kryetari i inaugurimeve është në kaseta, ndërsa kryetari i ri është në inteligjencën artificiale.

Nëse vazhdon kështu, shumë shpejt Bashkia mund të kursejë edhe zyrën e kryetarit. Mund të vendosë një ekran të madh në katin e parë dhe të shfaqë Erion Veliajn gjithë ditën. Në orën 09:00 hapet programi “Mirëmëngjes Tirana”, në orën 11:00 inaugurohet një shkollë, në orën 13:00 bëhet një mbledhje me administratën, në orën 3 të pasdites një përurim rruge dhe 2 orë më vonë një mesazh për qytetarët. Nëse dikush ka ndonjë ankesë, mund t’i drejtohet hologramit. Nëse hologrami nuk përgjigjet, ndoshta është duke udhëtuar jashtë shtetit.

Kjo është edhe ironia më e madhe e gjithë historisë. Për vite me radhë Tirana është mësuar me një kryetar që komunikonte përmes kamerave, që kishte gjithmonë një aktivitet për t’u filmuar, një kasetë për t’u transmetuar dhe një fjali për t’u përsëritur. Tani teknologjia thjesht ka hequr edhe "hallin" e pranisë fizike.

Në fund të fundit, pse të lodhemi me origjinalin kur mund të përdorim kopjen?

Madje kopja ka disa avantazhe. Ajo nuk lodhet, nuk vonohet, nuk udhëton, nuk ka nevojë të presë avionin, nuk ka nevojë të kthehet nga jashtë shtetit dhe mund të dalë në ekran pikërisht atëherë kur duhet.

Dhe, mbi të gjitha, kopja nuk vjedh.

Kjo është ndoshta pika ku Inteligjenca Artificiale ka bërë më në fund një përparim të madh në administrimin e Tiranës. Hologrami mund të flasë, mund të buzëqeshë, mund të inaugurojë, mund të premtojë, mund të bëjë fjalime dhe mund të përsërisë çdo tekst që i jepet. Por të paktën, ai nuk vjedh.

Erion Veliajt të vërtetë i duhet paraburgimi, Veliajt televiziv i duhet një arkiv, ndërsa Veliajt me IA i duhet vetëm një kompjuter.

Pas kësaj qytetari i Tiranës mund të vazhdojë jetën normalisht, duke parë kryetarin e tij në ekran ndërsa përpiqet të kuptojë se cili version i tij është real.

Kjo nuk është më thjesht teknologji. Është administrim me hologram.

Një kryeqytet real, me trafik real, beton real, probleme reale dhe qytetarë realë, drejtohet nga një figurë që tashmë mund të prodhohet në mënyrë artificiale. Por mungon vetëm një gjë.

Që hologrami të dalë një ditë në Bashki dhe të marrë edhe rrogën. Atëherë do ta kemi kompletuar ciklin! Kryetari nuk do të ketë më nevojë të jetë aty fare.

Do të jetë Tirana e "vërtetë", ndërsa kryetari do të jetë në ekran. Siç në fakt ka qenë gjithmonë, vetëm se tani e kemi edhe teknologjinë për ta provuar.

Me sa duket Tirana ka arritur në një pikë historike, ku kryetari mund të jetë virtual, fjalimi mund të jetë artificial, por faturën e gjithë kësaj vazhdon ta paguajë qytetari real./CNA 





Lajmet e fundit nga