U masakrua nga gruaja italiane dhe partneri i saj me çekiç, zbardhet motivi i vrasjes së Mikel Rrokut

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.10.2026, 18:31

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi për vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku në Torino, ku në pranga kanë përfunduar bashkëshortja e tij 45-vjeçare dhe partneri i saj i ri, 52 vjeç.

Sipas hetuesve, në qendër të dyshimeve janë dy motive të mundshme: dëshira për të larguar Rrokun, i cili konsiderohej si pengesë për lidhjen e re të gruas, si dhe interesi për banesën sociale ku ai jetonte.

Dy të arrestuarit dyshohet se e kishin planifikuar krimin prej disa muajsh. Hetimet kanë zbuluar se që në maj ata kishin diskutuar mënyra të ndryshme për ta vrarë 55-vjeçarin, duke përfshirë helmimin dhe përdorimin e thikës.

Sipas rindërtimit të autoriteteve italiane, vrasja dyshohet se ndodhi më 30 qershor, brenda apartamentit të Rrokut në rrugën Verolengo 185. 55-vjeçari dyshohet se u sulmua nga pas dhe u godit edhe pasi kishte rënë në tokë.

Ekzaminimet mjeko-ligjore zbuluan një dëmtim të rëndë në kokë, ndërsa gjurmët e gjetura në banesë kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes.

Trupi i shqiptarit u gjet vetëm gjashtë ditë më vonë, më 6 korrik, pasi fqinjët njoftuan autoritetet për shkak të erës së rëndë që vinte nga apartamenti. Viktima ishte në gjendje të avancuar dekompozimi.

Fillimisht, rrethanat e vdekjes nuk ishin të qarta, por dëmtimet në kokë ngritën dyshimet për një vrasje. Hetimi iu besua Njësisë Hetimore të Karabinierëve të Torinos, nën koordinimin e Prokurorisë së Torinos.

Një tjetër element që ka forcuar dyshimet e hetuesve lidhet me sjelljen e çiftit pas krimit. Sipas hetimeve, ata kishin kërkuar në internet informacione për t'u larguar nga Italia dhe për të emigruar drejt vendeve të Amerikës së Veriut, përfshirë edhe shtete me të cilat Italia nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Për prokurorinë, këto të dhëna mund të jenë tregues se arratisja ishte menduar paraprakisht, duke shtuar edhe dyshimet për planifikimin e vrasjes.

Mëngjesin e 6 tetorit, karabinierët ekzekutuan masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 45-vjeçares dhe partnerit të saj 52-vjeçar. Të dy akuzohen për vrasje të paramenduar.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rolin e secilit në planifikimin dhe kryerjen e krimit, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha provat e mbledhura gjatë muajve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit