
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj protestave të nxënësve në Francë, duke i lidhur trazirat me emigracionin masiv dhe Islamin.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se protestat nuk kanë të bëjnë me arsimin, por sipas tij janë pasojë e emigracionit dhe asaj që ai e përshkroi si përpjekje të Islamit për të marrë kontrollin e Francës.
“Ajo që po ndodh në Francë nuk është asgjë më pak se emigracion masiv jashtë kontrollit. Kjo nuk ka të bëjë me shkollat, kjo ka të bëjë me Islamin që dëshiron të marrë nën kontroll një vend që dikur ishte i madh!”, shkroi Trump.
Reagimi i presidentit amerikan vjen në ditën kur protestat e nxënësve kanë hyrë në një tjetër fazë të tensionuar në Francë. Dhjetëra mijëra nxënës, mësues dhe mbështetës kanë dalë në rrugët e qyteteve të ndryshme, duke kërkuar më shumë financime, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve në shkolla.
Protestat nisën në zonat periferike të Parisit në shtator dhe më pas u përhapën në të gjithë vendin. Nxënësit kanë denoncuar klasat e mbipopulluara, mungesën e mësuesve dhe gjendjen e amortizuar të godinave shkollore.
Në disa qytete, protestat kanë degjeneruar në përplasje me policinë. Autoritetet kanë përdorur gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit kanë hedhur objekte dhe kanë ndezur zjarre në rrugë. Sipas autoriteteve franceze, rreth 6,100 persona janë arrestuar që prej nisjes së protestave, shumica nën moshën 18 vjeç.
Ndërkohë, qeveria franceze ka premtuar se do të shqyrtojë kërkesat e nxënësve, përfshirë zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, përmirësimin e godinave shkollore dhe ndryshime në organizimin e orarit mësimor./Versus.al

