Kullat kanë futur në sherr grupin parlamentar të PD-së

6 Tetor 2026, 18:40Antena TEMA

Muli kërkoi sot një takim urgjent për të vënë nën kontroll sulmet ndaj kullave në Tiranë.

Lelo ishte i paqartë se përse duhej të merrej me këtë punë.

– Jemi në hall, – i tha Muli. – Ne kemi një politikë tonën, që nuk jemi kundër investimeve të mëdha, por, meqë Doktori tha se do të sulmojmë kullën e Tajvanit, e bëmë këtë lëshim. Tani jemi në hall.

Erdhi Ina dhe m’u ankua se sulmi ndaj kullës së Tajvanit bëhet kundër saj, i nxitur nga Jorida.

– E ke gabim, – i thashë. – Jorida bën punën e partisë.

– Epo, – tha Ina, – burri im e ka tokën private, e ka të blerë, kurse, kur u dha Pallati i Kongreseve për kullë, disa muaj më parë na thatë: “Mos flisni, se e ka Zeni.” Kur u dha Mali i Tiranës, thatë: “Mos flisni, se e ka Shtufi.” Tani kjo është luftë bërrylash.

– Po, paska të drejtë, – tha Lelo. – Te kulla e Inës gjetëm ne të protestojmë!

– Jo, Ina nuk ka vërejtje. Ajo thotë: “Unë ia fal kullën partisë”, por i vjen inat pse nuk ia falin edhe të tjerët.

Ajo është dakord ta firmosë shkresën për referendum. Puna është përse nuk është bërë kjo kur janë dhënë toka shtetërore për kulla dhe bëhet kur jepet leja në tokë private, për më tepër që ajo kullë jo vetëm nuk zë hapësirë, por e hap atë dhe e kthen në rrugëkalim.

– Mendoj se ka të drejtë, – tha Lelo. – Ajo që duhet të bëjmë është që të gjithë deputetët tanë që kanë interesa për leje në Tiranë apo për kulla, të mos i përfshijmë në aksion.

– Atë s’e bëjmë dot, – tha Muli, – se duhet të anashkalojmë edhe Doktorin, se nja pesë kulla dhe dhjetë komplekse në Tiranë i ka Zeni me Gitën.

– Atëherë, – tha Lelo, – të gjejmë një zgjidhje më logjike. Të themi se duhet pezulluar kulla te Tajvani derisa të shiten apartamentet e Kontaktit dhe të Mangalemit, kulla e Malit të Tiranës dhe ajo te Pallati i Kongreseve. Pra, të bëjmë një lloj rregullimi të tregut. Kështu dukemi më profesionalë.

– Ja, e gjetëm, – tha Muli. – Ke të drejtë.

Lini një Përgjigje