
Një 55-vjeçar shqiptar, Mikel Rroku, dyshohet se është vrarë nga bashkëshortja e tij dhe partneri i saj i ri në Torino të Italisë. Të dy janë arrestuar mëngjesin e 6 tetorit dhe ndodhen në burg, të dyshuar për vrasje të paramenduar.
Sipas hetuesve, motivet e dyshuara lidhen me dëshirën për t’u çliruar nga Rroku, të cilin çifti e konsideronte pengesë për marrëdhënien e tyre, si dhe me interesin për banesën sociale ku ai jetonte.
Hetimet kanë zbuluar se përgatitjet për krimin dyshohet se kishin nisur që në muajin maj. Gruaja 45-vjeçare dhe partneri i saj 52-vjeçar mendohet se kishin shqyrtuar disa mënyra për ta vrarë 55-vjeçarin, përfshirë helmimin dhe përdorimin e thikës.
Sipas rindërtimit të prokurorisë, vrasja ndodhi më 30 qershor 2026, në apartamentin e Rrokut. Hetuesit dyshojnë se ai u sulmua nga pas dhe u godit edhe pasi kishte rënë në tokë.
Ekzaminimi mjeko-ligjor zbuloi një dëmtim të rëndë në kafkë, që dyshohet se ishte shkaktuar nga një objekt i fortë.
Trupi u gjet gjashtë ditë më vonë
Trupi i shqiptarit u gjet më 6 korrik, gjashtë ditë pas vrasjes së dyshuar, në apartamentin e tij në katin e dytë të një pallati banesash sociale në rrugën Verolengo 185, në Torino.
Rroku ndodhej në gjendje të avancuar dekompozimi. Fqinjët njoftuan autoritetet pasi nga banesa vinte një erë e rëndë.
Fillimisht, hetuesit ngritën dyshime për rrethanat e vdekjes, por dëmtimet në kokë orientuan hetimin drejt një vrasjeje të mundshme. Çështja iu besua Njësisë Hetimore të Karabinierëve të Torinos dhe u koordinua nga prokurorja Lea Lamonaca.
Dyshimet për arratisjen
Një element tjetër që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve janë kërkimet që dy të dyshuarit dyshohet se kanë bërë pas krimit.
Sipas hetimit, ata kishin kërkuar në internet informacione për mundësinë e largimit nga Italia dhe emigrimit drejt vendeve të Amerikës së Veriut, përfshirë edhe shtete që nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Italinë.
Prokuroria e ka konsideruar këtë një element që mund të lidhet me dyshimin se krimi ishte planifikuar paraprakisht dhe se autorët kishin menduar edhe për një arratisje pas vrasjes.
Tashmë, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë në mënyrë të detajuar rolin e gruas dhe partnerit të saj në planifikimin dhe ekzekutimin e krimit, ndërsa të dy vijojnë të jenë nën masën e arrestit në burg./Syri

