“Vendi ka opozitën më të fortë”, Berisha nga Lezha: Koha na thërret sot të ripërtërijmë Shqipërinë

Partia Demokratike ka mbajtur këtë të martë “Foltoren e Ripërtëritjes” në Lezhë, ku kryedemokrati Sali Berisha ka vlerësuar qëndrimin e opozitës gjatë viteve të fundit. Para mbështetësve të tij, Berisha tha se demokratët kanë kaluar një periudhë të vështirë, por sipas tij kanë ruajtur qëndrueshmërinë dhe misionin opozitar.
Berisha: Ne mblidhemi sot në këtë Foltore të Ripërtëritjes në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Lezhën dhe gjithë Shqipërinë. Ne kemi ardhur në këtë fazë, në këtë moment pas një rruge të vështirë, të dhimbshme, por njëkohësisht dhe ndoshta rrugës më dinjitoze të jetës tonë politike.
Ne qëndruam të pamposhtur, asnjëri prej jush, asnjëri prej nesh për interes personal, jo absolutisht. Asnjëri prej jush nuk qëndroi as për interesa të ngushta familjare. Secili prej jush qëndroi për idealet më fisnike të njeriut. Qëndroi për dinjitetin njerëzor. Për dinjitetin e vendit të tij.
Qëndroi me besimin dhe bindjen se Shqipëria duhet të ketë një opozitë të vërtetë. Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e atyre që nuk duan qeverinë. Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e vlerave, e trashëgimisë tonë shoqërore, njerëzore, kombëtare.
Dhe në këtë kuadër, ne duhet të ndjehemi krenarë se përmbushëm me dinjitet këtë mision. U treguam të pamposhtur. U treguam të pathyeshëm. Shqipëria në këto vite pati një opozitë nga më të fortat, nga më aktivet. Shqiptarët patën një avokate të interesave të tyre.
Në vijim të fjalës së tij në Lezhë, Sali Berisha u ndal te problematikat sociale dhe ekonomike me të cilat, sipas tij, përballen shqiptarët. Berisha përmendi pensionistët, rritjen e çmimeve, vështirësitë e të rinjve për të ndërtuar një jetë në Shqipëri dhe emigracionin, duke e lidhur këtë të fundit kryesisht me varfërinë.
Berisha: Koha na thërret të ripërtërijmë Shqipërinë. Koha na thërret të përzëmë nga pushteti këtë të keqe të madhe, e cila në disa aspekte është e keqja më e madhe që shqiptarët kanë parë në historinë e tyre. Koha na thërret që t’u japim përgjigjet më të drejta, më të shpejta problemeve madhore më të cilat përballet shoqëria jonë, me të cilat përballet qytetari ynë.
Sot janë qindra e mijëra shqiptarë në tërësi të moshuar, pensionistë, të cilët me pensionin që marrin për shkak të rritjes stratosferike të çmimeve nuk sigurojnë dot ushqim për më shumë se dy javë në muaj. Sot janë me qindra mijëra pensionistë të cilët nuk i marrin dot ilaçet për t’u mjekuar. E njëjta gjë ndodhte në diktaturë. Sot të rinjtë shqiptarë nuk ndërtojne dot jetën në Shqipëri. Qiraja sot në Tiranë është mbi rrogën mesatare. Prandaj të rinjtë vendosin të ikin dhe të mos e ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Cila është arsyeja që shqiptarët largohen? Ka vetëm një shkak kryesor dhe kjo është varfëria.




