MAGAZINË /

Vidhet në Francë “libri më i çmuar në botë”, kopertina e Dalís peshon 150 kg

Pas 24 vitesh në pronësi të tij, Karoutzos vendosi këtë verë ta ekspozonte në Qendrën e tij të Artit Bashkëkohor. Por vetëm disa muaj më vonë, vepra u vodh.

Shkruar nga Versus

Vidhet në Francë “libri më i çmuar në

Një vepër e rrallë arti, e cilësuar dikur si “libri më i çmuar në botë”, është vjedhur në Francë, vetëm pak muaj pasi ishte ekspozuar për publikun.

Bëhet fjalë për “L’Apocalypse”, një vepër monumentale e konceptuar në vitin 1959 nga botuesi i librave të artit Joseph Forêt dhe e bazuar në “Apokalipsin” e Shën Gjonit.

Në realizimin e saj morën pjesë shtatë artistë të njohur, mes tyre Salvador Dalí, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini. Me vepra dhe reflektime kontribuuan edhe shtatë shkrimtarë e mendimtarë, përfshirë Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger.

Një nga veçoritë më të jashtëzakonshme të librit është kopertina prej bronzi, e realizuar nga Salvador Dalí, e cila peshon rreth 150 kilogramë.

“L’Apocalypse” është ekspozuar në vende të ndryshme të botës që prej vitit 1961. Në vitin 2002, vepra u ble nga koleksionisti Christian Karoutzos, i cili ka treguar se iu deshën rreth dhjetë vjet për ta shlyer plotësisht, duke punuar shtatë ditë në javë.

Vlera e veprës arrin në disa milionë euro.

Pas 24 vitesh në pronësi të tij, Karoutzos vendosi këtë verë ta ekspozonte në Qendrën e tij të Artit Bashkëkohor. Por vetëm disa muaj më vonë, vepra u vodh.

Autoritetet franceze kanë nisur një hetim për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e veprës.

“Është një vepër unike në botë. Kanë vrarë trashëgiminë franceze, kanë vrarë Francën”, deklaroi pronari Christian Karoutzos./Versus.al

Poll