Komisioni Europian ka propozuar një procedurë të re që do të mundësonte shkurtimin e fondeve dhe kufizimin e të drejtës së votës për vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian që shkelin parimet e shtetit të së drejtës. Kjo procedurë do të mund të zbatohej deri në 15 vjet pas anëtarësimit të një vendi në BE.
Propozimi, i paraqitur të martën, përfshin gjithashtu masa të reja për integrimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Europian dhe ndryshime në fushën e qeverisjes.
Komisioni kërkon të vendosë një sërë “garancish” institucionale që do të mund të çonin deri në heqjen e të drejtës së votës për shtetet e reja anëtare, në rast të shkeljeve serioze të parimeve të BE-së.
Masa synon të shmangë situatat kur ndryshimet politike në një vend të ri anëtar mund të cenojnë procesin e vendimmarrjes së Bashkimit Europian. Ajo shoqërohet me propozime të reja për afrimin gradual të vendeve kandidate me Unionin.
“U kritikova shumë kur për herë të parë thashë se nuk dua të shoh kuaj të rinj trojanë në Bashkimin Europian. Kjo ishte përpara zgjedhjeve në Hungari. Sot mund të them, nuk ka më Viktor Orbán”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Garancitë
Në qershor, pesë vende themeluese të BE-së kërkuan forcimin e garancive në traktatet e anëtarësimit, me synimin për të reaguar më shpejt ndaj rasteve të prapakthimit demokratik dhe shkeljeve të parimeve europiane, duke marrë si mësim rastin e Hungarisë së Viktor Orbán.
Komisioni Europian po e ndjek tashmë zyrtarisht këtë propozim, duke vlerësuar se përvoja e fundit me Hungarinë tregon se neni 7 i Traktatit të BE-së, i cili i lejon Unionit t’i heqë një shteti anëtar disa të drejta në rast të shkeljes së vlerave europiane, kërkon shumë kohë dhe nuk funksionon gjithmonë.
Për këtë arsye, propozimi parashikon një procedurë të re, që do t’i shtohet mekanizmit të nenit 7. Ajo do të mundësonte shkurtimin e fondeve europiane, madje edhe kufizimin e të drejtës së votës për vendet e reja anëtare që veprojnë në kundërshtim me shtetin e së drejtës, vlerat e BE-së dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë.
Komisioni përmend si shembull më të qartë mënyrën se si Hungaria ka vepruar lidhur me Ukrainën. Budapesti ra dakord që Ukrainës t’i jepej statusi i vendit kandidat, por më pas bllokoi procesin.
“Kur biem dakord për një qëllim, të gjithë duhet të punojmë për këtë qëllim”, tha Kos.
Procedura e re do të mund të përdorej për 15 vjet pas anëtarësimit dhe do të aktivizohej në rast të shkeljeve serioze që ndikojnë në funksionimin e Bashkimit Europian. Masat do të ishin proporcionale me shkeljen, ndërsa pezullimi i të drejtës së votës do të rezervohej për rastet më të rënda.
Procedura mund të niset nga Komisioni Europian ose nga disa shtete anëtare, për t’iu paraqitur më pas Këshillit për vendimmarrje. Propozimi nuk përcakton se cili proces vendimmarrës duhet të përdoret, duke ia lënë këtë çështje shteteve anëtare.
Garancitë nuk janë një mekanizëm i ri. Ato janë përfshirë edhe në traktatet e mëparshme të anëtarësimit, veçanërisht për mangësi serioze në zbatimin e rregullave të tregut të brendshëm, drejtësisë dhe ekonomisë së BE-së.
Komisioni kërkon që këto garanci tradicionale të zgjasin më shumë se tre vjet, që ishte afati i parashikuar më parë, por nuk përcakton se sa duhet të jetë periudha e re.
Duke iu referuar sërish përvojës së qeverisë së Viktor Orbán, ekzekutivi europian kërkon gjithashtu që traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përfshijnë një deklaratë se shteti i ri anëtar do të përmbahet nga përdorimi i parimit të unanimitetit në procesin e zgjerimit për çështje dypalëshe.
Rasti më i fundit është ai i Bullgarisë, e cila vijon të bllokojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të çështjeve të pazgjidhura dypalëshe, veçanërisht kërkesës së Sofjes për ndryshime kushtetuese.
Disa nga propozimet e paketës, veçanërisht ato që lidhen me reformat e brendshme, do të kërkojnë miratimin e shteteve anëtare. Megjithatë, Komisioni synon që garancitë e reja t’i përfshijë në qëndrimin e BE-së për kapitullin e fundit të negociatave me Malin e Zi, në fillim të nëntorit.
Integrimi gradual
Komisioni Europian ka përfshirë gjithashtu idenë e integrimit gradual, të propozuar nga Franca dhe Gjermania, me synimin për t’u treguar vendeve kandidate përfitimet e hershme që mund të sjellë afrimi me anëtarësimin e plotë në BE.
“Nuk është një zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Thjesht u mundëson atyre vendeve që po përmbushin detyrimet mirë që, në fushat ku po ecin mirë, të integrohen më herët në sistemet ose politikat e Bashkimit Europian”, tha Kos.
Sipas saj, integrimi gradual do të zbatohej në fusha ku si vendet anëtare, ashtu edhe vendet kandidate kanë përfitime të përbashkëta, duke përmendur si shembuj zinxhirët e furnizimit dhe sigurinë energjetike.
Ndër fushat e tjera janë pjesëmarrja në programe të BE-së, si Erasmus+ dhe Horizon Europe, mbështetja nga agjenci si Frontex, integrimi në tregun e përbashkët, projektet e ndërlidhjes infrastrukturore, si dhe statusi i vëzhguesit në grupet dhe organet e ekspertëve.
Plani parashikon gjithashtu një formë të “zgjeruar” për vendet kandidate që përputhen me Brukselin në fushat strategjike dhe përmbushin kriteret e shtetit të së drejtës. Megjithatë, mënyra se si do të vlerësohet kjo përputhje strategjike mbetet ende për t’u përcaktuar.
Disa forma të integrimit të hershëm ekzistojnë tashmë. Sipas Komisionit, qasja e re do të jetë shumë më sistematike dhe do të mundësojë krijimin e përfitimeve të përshtatura për secilin vend kandidat, përmes një dialogu të strukturuar dhe me financim të dedikuar.
Qeverisja
Sa i përket qeverisjes, Komisioni Europian kërkon që raportet vjetore për shtetin e së drejtës të shtrihen edhe në më shumë vende kandidate dhe që rekomandimet për përafrimin me standardet demokratike të BE-së të bëhen më të qarta.
Synimi është forcimi i institucioneve të pavarura që garantojnë zbatimin e të drejtave dhe përgatitja e vendeve kandidate për të marrë pjesë në Prokurorinë Publike Europiane që nga momenti i anëtarësimit.
Në rast se shfaqen probleme, mund të merren masa të përshtatshme, përfshirë shtyrjen e anëtarësimit të vendeve kandidate në një datë të mëvonshme, në rastet më serioze.
Brukseli do të punojë gjithashtu me vendet kandidate për të testuar kapacitetet e tyre zbatuese përpara anëtarësimit, në fusha prioritare si menaxhimi i kufijve, mbikëqyrja e tregut të përbashkët, standardet e sigurisë ushqimore, rrjetet e transportit dhe fondet e kohezionit.
Marrëveshje kalimtare të përshtatura për secilin vend do të negociohen, veçanërisht në fusha si bujqësia dhe lëvizja e punëtorëve.
Para anëtarësimit do të testohen gjithashtu procedurat e prokurimit publik, auditimet e pavarura dhe kapacitetet për luftën kundër mashtrimit.












