
Ndërkohë që Shqipëria është në fazën finale të anëtarësimit në Bashkimin Europian, bizneset me ndihëm e qeverisë po përgatiten për t’u përshtatur me politikat dhe standardet europiane. Fokusi është te përmirësimi i sigurisë, standardeve dhe certifikimit të produkteve “Made in Albania”.
Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit shprehet: “Përmbushja e standardeve, sigurisht, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e legjislacionit apo me plotësimin e kutive. Ka të bëjë me të qenit më konkurrues. Ka të bëjë me hyrjen në tregjet europiane. Ka të bëjë me përfitimin e avantazhit të të parëve që lëvizin. Disa vite më parë, ESG dukej disi e largët, diçka që nuk na shqetësonte, diçka shumë larg realitetit shqiptar, por ne po ecim përpara dhe po ecim drejt BE-së.”
Për të përshpejtuar këtë proces, qeveria ka vënë në dispozicion edhe programin “Dyfisho Biznesin”, përmes të cilit po u ofrohen bizneseve më shumë mundësi financimi për investime dhe rritje, duke i bërë ato më konkurruese.
“Një pjesë e rëndësishme e mbështetjes lidhet edhe me financimin. “Dyfisho Biznesin”, i cili u mundëson bizneseve të aplikojnë për kredi me interes 2% dhe me 70% të kolateralit të mbuluar përmes garancisë sovrane. Në kuadër të këtij programi, një nga synimet është edhe financimi i certifikimeve që u mundësojnë kompanive të përmbushin standardet e kërkuara”, tha Ibrahimaj.
Por ekspertët ngrenë shqetësimin se ky proces mund të jetë më i vështirë për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përballen me kosto shtesë dhe mungesë të fuqisë punëtore.
Gertjana Hasalla, eksperte për punësimin tha: “Nga studimet që janë bërë, 85% e bizneseve do ta kenë shumë të vështirë të përshtaten me këtë treg të madh europian ose të ecin përpara. Pra, shumë prej tyre do të duhet të mbyllen, ndërsa shumë prej atyre që janë të vetëpunësuar do të mbeten pa punë dhe do të duhet të punësohen në vende të tjera ose të marrin rrugën e emigrimit.”
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rreth 98% e bizneseve që operojnë në vend janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke mbajtur një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare. Për këtë arsye, përshtatja me standardet europiane mbetet një sfidë e rëndësishme, veçanërisht për bizneset me kapacitete të kufizuara financiare dhe njerëzore. (A2 Televizion)