Një 24-vjeçare me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë në Itali, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët dhe të afërmit. Bëhet fjalë për Giulia Stefa, vajzën e një familjeje me origjinë nga Durrësi, e cila ishte rritur në Viareggio.
Giulia u nda nga jeta në orët e para të 5 tetorit, pasi u ndje keq në banesën ku jetonte me partnerin e saj, Leonardo Zaia, në lagjen Terminetto të Viareggios. Sipas mediave italiane, 24-vjeçarja pati vështirësi në frymëmarrje dhe gjendja e saj u përkeqësua brenda pak çastesh.
Partneri njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës. Kur mbërritën autoambulanca dhe ambulanca e Croce Verde, e reja kishte pësuar arrest kardiak. Pas përpjekjeve për reanimim në banesë, ajo u transportua me urgjencë drejt spitalit Noa në Massa, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte.
Jeta e Giulia-s kishte ndryshuar katër vite më parë, pas një aksidenti të rëndë në pistat e skive në Abetone. Gjatë skijimit, ajo u përplas me një shtyllë dhe pësoi disa trauma, duke u transportuar në gjendje të rëndë në spitalin Cisanello të Pizës.
“Që nga ajo ditë për të gjërat ndryshuan”, tregon motra e saj, Aurora, e cila rrëfen se gjendja shëndetësore e Giulia-s kishte pasur ulje-ngritje. Për shkak të pasojave të aksidentit, ajo kishte hequr dorë nga skijimi, një prej pasioneve të saj, si dhe kishte ndërprerë punën në kompaninë familjare të bojërave.
Giulia kishte lindur në vitin 2002 në Pietrasanta dhe ishte rritur në Viareggio, qytet që e konsideronte shtëpinë e saj. Prindërit e saj, Diana Kadushja dhe Kostandin Stefa, janë me origjinë nga Durrësi. Ajo punonte në biznesin familjar dhe, sipas familjarëve, ishte një vajzë e dashur, e qeshur dhe shumë e lidhur me njerëzit e saj.
Por një prej dëshmive më prekëse pas ndarjes së saj nga jeta vjen nga motra e madhe, Aurora, me të cilën Giulia kishte një lidhje shumë të fortë.
“Ishe motra ime e vogël, përkëdhelja e shtëpisë, ajo e surprizave, e aftë të mendoje gjithmonë për të tjerët para vetes”, shkruan Aurora në dedikimin e saj.
Ajo kujton se Giulia ishte personi me të cilin ishte rritur dhe se të dyja kishin ende shumë plane për të ardhmen. Mes tyre ishte edhe dasma e Aurorës, të cilën Giulia mezi priste ta organizonte dhe ta shijonte bashkë me motrën e saj. Ajo gjithashtu mezi priste të bëhej teze.
“Për mua nuk ishe vetëm një motër. Ishe bashkëpunëtorja ime, personi me të cilin u rrita, një pjesë e jetës sime dhe e gjithçkaje që jam. Kishim ende kaq shumë gjëra për të jetuar së bashku”, shkruan Aurora në mesazhin e saj.
Në fund, motra i drejtohet Giulia-s me fjalët: “Do të më mungosh çdo ditë të jetës sime. Të dua, motra ime e vogël. Përgjithmonë ne të dyja”.
Ceremonia e lamtumirës për 24-vjeçaren do të mbahet më 7 tetor, në kishën Santa Rita në Campo d’Aviazione, në Viareggio. Pas ceremonisë, Giulia do të prehet në varrezat e qytetit.
