
Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar ekzekutimin me skuadër pushkatimi të ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Malik Hasan, i dënuar me vdekje për masakrën e vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.
Vendimi u mor pas rekomandimit të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndërsa Pentagoni njoftoi se sekretari i Ushtrisë do të përcaktojë datën dhe vendin e ekzekutimit.
Më 5 nëntor 2009, Hasan hapi zjarr në një qendër mjekësore në Fort Hood, ku ushtarët po përgatiteshin për dislokim. Sulmi la 13 persona të vrarë dhe 32 të plagosur. Hasan u qëllua nga një efektive policie dhe mbeti pjesërisht i paralizuar.
Gjatë gjyqit ushtarak në vitin 2013, Hasan u dënua me vdekje për 13 akuza për vrasje të paramenduar dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje. Ai pranoi përgjegjësinë për sulmin dhe deklaroi se synonte të pengonte dislokimin e trupave amerikane në Afganistan.
Nëse ekzekutimi kryhet, ai do të jetë ekzekutimi i parë nga ushtria amerikane që prej vitit 1961. Gjithashtu, do të ishte ekzekutimi i parë ushtarak me skuadër pushkatimi që prej vitit 1945.
Hasan ndodhet në burgun ushtarak të Fort Leavenworth, Kansas, në pritje të ekzekutimit. Vendimi i Trump nuk nënkupton se ekzekutimi do të kryhet menjëherë, pasi procedurat ligjore dhe apelimet mund ta shtyjnë zbatimin e tij.
Hasan, i lindur në SHBA nga prindër palestinezë, kishte shërbyer si psikiatër ushtarak. Para masakrës, ai kishte pasur kontakte me predikuesin radikal të al-Qaedës, Anwar al-Awlaki, ndërsa hetimet amerikane shqyrtuan edhe procesin e radikalizimit të tij./Versus.al

