Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shtrirë dorën kundërshtarëve të tij politikë, duke i ftuar edhe njëherë të bashkohen në seancë plenare për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Teksa minutat janë të numëruara dhe konsensusi duket i pamundur, Kurti u zotua se nëse presidenti i ri zgjidhet sonte, Projektligji për Dhomat e Specializuara do të kalojë në lexim të dytë gjatë paradites së së enjtes, duke iu përgjigjur kështu kushtit të vendosur nga PDK-ja. Kurti tha se në këtë mënyrë palët mund të bien në ujdi, duke përmbushur të dyja objektivat. Kreu i Vetëvendosjes tha se deri tani ka shmangur deklaratat publike për takimet mes partive, pasi ka pasur vullnet për të arritur një marrëveshje. Por, sipas tij, PDK-ja dhe kryetari i saj, Bedri Hamza, kanë vendosur kushte dhe kanë refuzuar takimet.