
Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, 53-vjeçari Andon Kapetani, i njohur edhe si Arben Kapetani, i cili disa ditë më parë u rrëzua nga një skelë në Sarandë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 29 shtatorit, në rrugën “Mit’hat Hoxha”, në lagjen nr. 4 të Sarandës, teksa 53-vjeçari ishte duke punuar për lyerjen e fasadës së një banese.
Pas aksidentit, Kapetani u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, në gjendje kome, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë nga rrëzimi.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 53-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve dhe ka ndërruar jetë disa ditë pas aksidentit.
Andon Kapetani kishte lindur dhe banonte në Sarandë.
Policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me kushtet e sigurisë në punë./Versus.al

