“Folësit tanë nuk paguhen nga Gys Agasi apo Balluku” — Aktivisti: Qeveria e mban pushtetin me banda dhe maskarenj

Aktivisti Edison Lika në nisje të protestë numër 129 para kryeministrisë, u shpreh se qeveria ka mbajtur pushtetin me dhunë duke nënshtruar qytetarët me anë të bandave.
Ai shton se protesta është edhe kundër oligarkisë ekonomike që po zapton çdo hapësirë të lirë për qytetarët.
Lika thekson se folësit në protestë tregojnë hallet e vërteta që kanë njerëzit dhe se nuk paguhen nga Ergys Agasi apo Belinda Balluku.
Edison Lika: Jemi në ditën e 129 me të njëjtat kërkesa që kemi patur që ditën e parë, kërkesa më e rëndësishme ka qenë dorëheqja e kryeministrit dhe gjithë qeverisë. Kjo protestë është ndalur te çdo pikë që ky pushtet e ka mbajtur veten në këto 13 vite. E ka mbajtur veten me krimin e organizuar që ka vjedhur zgjedhjet dhe ka nënshtruar njerëzit dhe ka mbajtur nën këmbë qytete të tëra.
E ka mbajtur me bandat e Elbasanit, Durrësit Shkodrës, Gys Agasi me të gjithë maskarenjtë. Është kundërshtuar me ngulm qeverisja kriminale. Na e kanë pamundësuar të bëjmë një jetesë normale në këtë vend, na kanë pamundësuar nga hapësira për parking në lagje.
Protestë edhe kundër oligarkisë ekonomike që e gjejmë kudo. Kudo kanë zaptuar çdo hapësirë të kësaj republike. Qeveri në shërbim të oligarkisë. Një emision gjasme satirik për të qeshur, secili prej nesh në shesh e di se ai është televizioni e Gys Agasit, e inceneratorëve.
Ne nuk ju harrojmë e dimë shumë mirë se jeni paguar nga inceneratorët dhe Gys Agasi për tu bërë qejfin oligarkëve dhe Edi Ramës. Këta që flasin këtu nuk paguhen nga inceneratori, as Ergys Agasi as Belinda Balluku. Shumica prej tyre nuk bëjnë dot një ditë plazh se e ka bllokuar bregdetin oligarkia ekonomike.


