129 ditë protestë, Lika: Kjo qeveri është përzier me krimin, kriminelët kanë zaptuar Republikën
Aktivisti Edison Lika ka deklaruar se qeveria shqiptare është e lidhur me krimin dhe se vendi ndodhet nën ndikimin e grupeve kriminale dhe oligarkëve. Gjatë protestës së 129-të kundër qeverisë, Lika tha se qytetarët po përballen me një situatë ku, sipas tij, krimi ka depërtuar në çdo sektor të jetës publike.
“Kjo qeveri është në pushtet prej krimit. Republika është pushtuar nga kriminelë ordinerë, që na e kanë bërë të pamundur që të jetojmë në Shqipëri”, tha ai. Aktivisti akuzoi gjithashtu qeverinë se është vendosur në shërbim të oligarkëve, duke pretenduar se ndikimi i tyre shtrihet nga hapësirat publike në zonat bregdetare dhe projektet infrastrukturore.
“Ata na kanë zaptuar nga parkingu i lagjes dhe deri në bregdet. Ne e gjejmë oligarkinë kudo, te rruga Thumanë-Kashar, kudo. Kanë zaptuar çdo hapësirë të vendit”, deklaroi Lika.
Sipas tij, protesta synon të kundërshtojë çdo person që, në këndvështrimin e tij, ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga pasuritë dhe paratë e shqiptarëve. Lika bëri thirrje për një “revolucion”, të cilin e cilësoi si të domosdoshëm për çlirimin e vendit nga ata që, sipas tij, e kanë marrë peng shtetin dhe shoqërinë.

