Teksa sytë e të gjithë shqiptarëve janë fokusuar te puna e SPAK, zhvillime të rëndësishme duket se e presin sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Jo më larg se dje, ishte Ambasada e Amerikës në Tiranë që tregoi takimin e ambasadorit Eric Ëendt me shefin e SPAK, Altin Dumani ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkaq, sot ILD-ja njoftoi se kryetari i këtij inspektoriati, Artur Metani kishte udhëtuar drejt ShBA-ve bashkë me stafin e vet duke organizuar disa takime pune me prokurorë dhe gjyqtarë amerikanë.
Tashmë është OSBE-ja që përmes një postimi në kanalin zyrtar bën me dije se ambasadori Michel Tarran ka takuar ministrin e Drejtësisë Toni Gogu dhe mandej kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani. Fokusi është te efektiviteti i sistemit të drejtësisë.
E siç shihet, prozhektorët e ndërkombëtarëve janë kthyer pikërisht nga sistemi i drejtësisë shqiptare. Në një kohë kur qeveria po punon maksimalisht dhe Shqipëria aspiron integrimin në BE, me sa duket veprimtaria e institucioneve të drejtësisë është pikë kyçe për ndërkombëtarët.
“Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, vijoi sot angazhimin e tij me aktorët e sektorit të drejtësisë, duke u takuar me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe, në një takim tjetër, me kryetaren dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Me ministrin Gogu, diskutimet u përqendruan te forcimi i efektivitetit të sistemit të drejtësisë, zhvillimet e fundit legjislative dhe institucionale, rëndësia e garantimit të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe vlera e proceseve të gjera dhe kuptimplotë të konsultimit nga dhe ndërmjet të gjithë aktorëve.
Me kryetaren dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ambasadori Tarran diskutoi çështjet që ndikojnë në punën e prokurorëve dhe funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale, rëndësinë e garantimit të standardeve për një gjykim të drejtë dhe respektimit të pavarësisë dhe llogaridhënies së prokurorëve, përfshirë në kuadër të reformave legjislative në vijim.
Në të gjitha takimet, mënyra se si drejtësia ndikon në të gjithë shoqërinë dhe mënyra se si mund të konsolidohen pikëpamjet dhe nevojat e ndryshme ishin në thelb të diskutimeve”, shkruhej në njoftimin e OSBE-së.
