
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë, 6 tetor, Foltoren e Ripërtëritjes në Lezhë, ku foli për krizën ekonomike, emigracionin dhe nevojën për riorganizimin e opozitës me synim rikthimin në qeverisje.
Berisha u bëri thirrje demokratëve që ta hapin partinë ndaj të rinjve, grave dhe prurjeve të reja. Ai vlerësoi gjithashtu qëndrueshmërinë e strukturave të PD-së gjatë viteve në opozitë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë Rama për rritjen e varfërisë dhe kostos së jetesës. Sipas tij, pensionistët po hasin vështirësi për të përballuar ushqimet dhe ilaçet, ndërsa shumë të rinj po largohen nga Shqipëria pasi nuk shohin mundësi për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme.
“Ka vetëm një shkak kryesor dhe kjo është varfëria, varfëria dhe vetëm varfëria”, u shpreh Berisha, duke e lidhur emigracionin masiv me gjendjen ekonomike të vendit.
Duke prezantuar programin për një qeverisje të ardhshme të PD-së, Berisha premtoi një minimum jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar, përgjysmimin e barrës shtetërore ndaj sipërmarrjes dhe rritjen e mbështetjes për fermerët.
Ai deklaroi gjithashtu se Ballkani i Hapur do të anulohet në javën e parë të një qeverisjeje të PD-së.
Kreu demokrat foli edhe për ato që i cilësoi si arritje të qeverisjes së tij, duke përmendur Rrugën e Kombit, investimet në shkolla dhe spitale, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe zhvillimin e prodhimit vendas.
Sipas Berishës, synimi i PD-së është që rritja ekonomike të përkthehet sërish në mirëqenie për qytetarët.
Në fund të fjalës, Berisha ashpërsoi tonet ndaj kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu. Ai e akuzoi Ndreun për pasuri të pajustifikuara dhe paralajmëroi konfiskimin e tyre.
“Të ripërtërijmë PD-në, të ripërtërijmë Shqipërinë”, ishte mesazhi i Berishës nga Lezha.