Kreu i PDK-së Bedri Hamza ka reaguar menjëherë pas propozimit të bërë nga Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Pasi Kurti i premtoi se do i jepte votën për Projektligjin çlirimtarët nëse këta zotohen se do të votojnë kreun e shtetit për t’i dhënë fund ngërçit politik, Hamza i është përgjigjur kryeministrit duke i kujtuar se çështja i takon gjithë Kosovës.
“Kjo që po shohim dhe që po dëgjojmë nuk është aspak serioze për vendin, për temat për të cilat po bisedojmë. Kjo temë po tentohet të shëndrrohet në pazare të minutave të fundit. Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë, nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen e vendin tonë”, u shpreh ai.
Po ashtu, kryedemokrati i Kosovës ka theksuar se bëhet fjalë për luftën e UÇK-së dhe viktimat e luftës, duke thënë se kjo çështje nuk i takon vetëm partisë së tij por të gjithë popullit.
“Po flasim për luftën e drejtë të popullit të Kosovës të zhvilluar përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po flasim për viktimat që i takojnë Kosovës, që janë të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pjesëtar në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdori Ligjin thjeshte, direkt për shantazh që ta arrijë qëllimin politik. Cili është qëllimi politik? Që të ketë një President politik dhe ta përmbyllë kapjen e institucioneve të shtetit”, shtoi kreu i PDK-së.

