Gjuha toksike e flamingove që u vu re ndaj Portokallisë dhe gazetarit Bled Mane, duket se është një reagim “spontan” i “bazës” së protestuesve, por në realitet nuk është ashtu.

Kemi të bëjmë me një strategji politike të qartë, të zgjedhur nga elementët politikë të flamingove.

Sulmi i aktivistes së Arlind Qorit ndaj Erion Braçes dhe i Arian Konomit për llogari të Adriatik Lapajt kundër Erion Braçes për të fituar pikë në garën e mundshme të tyre për bashkinë e Tiranës, duket se është një fiksim i palëvizshëm.

Por thënë të drejtën nuk e kanë vetëm këta politikan të rinj këtë fiksim se të polarizosh fiton konsensus, e kanë shumë të tjerë.

Edhe në PD-në që është parti e madhe plasi moda e madhe që të bëhen më radikalë se doktori për të marrë popullaritet. Madje e bënë edhe ata që kanë qenë kritikë të doktorit. Madje edhe Nard Ndoka tentoi të bëhej më radikal për të marrë consensus, ndërkohë që dikur kishte pasur jo pak rezultate si politikan i qetë, me humor dhe pragmatik.

Është shumë e vërtetë që sot në epokën e rrjeteve sociale, duke u treguar radikal fiton ndjekës, por kjo nuk ka treguar se të sjell vota.

Dashamir Shehi, një politikan mjaft me përvojë dhe inteligjencë i së djathtës, praktikoi ca vite që të paraqitet radikal në qëndrimet e veta, pasi e pa që kjo sillte popullaritet në rrjet.

Por ky popullaritet nuk u përkthye në vota, kur ai u paraqit në zgjedhje. Dhe kjo ka një logjikë të thjeshtë. Dash Shehi nuk ka qenë asnjëherë një politikan polarizues dhe radikal, ai ka qenë një personazh që ka përdorur logjikën e moderacionin.

Popullaritetin elektoral që e ka marrë në ditët më të mira të tij, e ka tërhequr nga ai që quhet elektorati gri, e jo nga radikalët që adhurojnë Sali Berishën.

Ndërkaq revolucioni i flamingove erdhi si një lëvizje tronditëse, rrëzuese kur nisi. Por fakti është se ajo nuk ishte asnjë ditë një lëvizje kundër Edi Ramës. Pasi Edi Rama është në mandatin e katërt, e nëse do të vijë një lëvizje, duhet të dalë një sfidues i tij politik për të fituar zgjedhjet, që ndoshta në këtë termin nuk është shumë e vështirë.

Revolucioni i Flamingove ishte një lëvizje anti-Trump, duke e përdorur Shqipërinë, e Edi Rama u bë një digë politike për ta bllokuar atë lëvizje. Për këtë Rama ka marrë koston e tij të qarqeve të mëdha politike, porn ë fund të fundit politika ka kosto, e Rama në këtë rast nuk është në fillimet e tij.

Problemi është tjetër, pasi diskursi radikal, ekstremist e toksik që përdoret për të rrëzuar një qeveri, është një cikël që ka ligjësitë e veta.

Në këtë rast kemi të bëjmë me një diskur që po kthehet në politik. E nga kjo nuk përfitojnë asnjë nga grupet e tjera opozitare, përveç Sali Berishës. Pasi ai është “master shefi” i kësaj strategjie. Në zgjedhjet e 2025, të tjerët, pra partitë e vogla morën vota se ishin alternativa të politikës së doktorit. Paraqitje si kopja e tij është e kotë, njerëzit e kanë origjinalin./ Tema