
Protesta në Prishtinë kundër Ligjit për Gjykatën Speciale ka vijuar edhe mbrëmjen e sotme, duke shënuar natën e 21-të.
Protestuesit kërkojnë ndryshimin e ligjit për Specialen, ndërsa tubimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik për Kosovën, vetëm pak orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
Nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit dështon, Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Në protestën e kësaj mbrëmjeje janë parë edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Protestuesit po qëndrojnë në hapësirën para objektit të Kuvendit, duke kërkuar nga deputetët që ndryshimet në ligj të miratohen në lexim të dytë.Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shtuar praninë dhe masat e sigurisë përreth objektit të Kuvendit dhe institucioneve përreth.
Gjatë protestës, disa qytetarë kanë shprehur revoltën ndaj zhvillimeve të fundit duke hedhur mjete piroteknike në drejtim të hyrjes së Kuvendit, ku janë të vendosura njësitet policore.
Protesta po zhvillohet në kohën kur plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara ende nuk janë sjellë për votim në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës/Versus.al

