Celebrities Ndryshe

Skandali i videove intime të Adi Hilës, Robert Berisha flet pa filtra në “Ndryshe”!

Në emisionin ‘Ndryshe‘ në Top Albania Radio, kompozitori Robert Berisha trajtoi disa tema aktuale që kanë përfshirë showbizin shqiptar dhe atë të Kosovës së fundit.

I pyetur për skandalin e fundit me videot intime të publikuara, Berisha shprehu mendimin se sa më pak të diskutohet tema, aq më shpejt do të kalojë. Ai theksoi se gratë janë në pozitë më të vështirë sesa burrat në raste të tilla, pasi përballen me stres shtesë dhe pasoja shoqërore më të rënda. Berisha kujtoi gjithashtu një rast të ngjashëm të ndodhur disa vite më parë në Kosovë, me një ish-pjesëmarrëse të Big Brother.

Në vijim të bisedës, Berisha foli për rubrikën e tij të njohur në rrjetet sociale, ‘Robi plaket kur don vet’, e cila lindi gjatë pandemisë kur ai u gjend në karantinë në konviktet e studentëve në Prishtinë pas kthimit nga një koncert në Amerikë. Aty ai zbuloi rastësisht mundësinë e transmetimit live në Instagram, duke u bërë shpejt viral me moderim, barceleta dhe këngë.

Artisti ndau edhe përvoja nga bota e dasmave në Kosovë dhe Shqipëri, duke treguar se çmimet për artistët në dasma shkojnë deri në dhjetëra mijëra euro, ndërsa këngëtarë si Sinan Vllasi konsiderohen në gjendje të mbyllin një dasmë të tërë vetëm me repertorin e tyre. Ai rrëfeu gjithashtu kujtimin e dasmës ku ishte e pranishme Dua Lipa, si dhe dasmën e tij personale, ku performuan artistë si Adrian Gaxha, Muharrem Ahmeti dhe Kastrioti.

Në fund të bisedës, Berisha la të kuptohet se pas përfundimit të sezonit të emisionit të tij në dhjetor, nuk e përjashton mundësinë e një hyrjeje në ‘Big Brother’, duke u prezantuar si ‘muzikanti’ i radhës në shtëpinë më të famshme të showbizit shqiptar.