Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, dhe djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Klestor Veseli, i janë bashkuar protestës që po zhvillohet para objektit të Kuvendit të Kosovës.
Protesta është organizuar nga nisma “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatori Çlirim Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësisë partiake.
Gjatë fjalës së tij, Haziri deklaroi se protesta synon të shprehë mbështetjen për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kërkoi që çështja e Projektligjit për Dhomat e Specializuara të mos bëhet pjesë e pazareve politike.
“Ejani në shesh, pa dallime partie, pa dallime bindje politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në, për gjakun e derdhur për liri, është për historinë tonë, e cila nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si çështje e pazareve politike”, deklaroi Haziri.
Ai theksoi se tubimi nuk është organizim i një partie apo grupi të caktuar, duke e cilësuar miratimin e ligjit si një çështje emergjente.
“Për ne, ky ligj është emergjencë. Kjo protestë nuk është e një partie, kjo protestë nuk është e një grupi, nuk është pronë e askujt”, tha ai.
Haziri iu drejtua edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke deklaruar se protestuesit kanë qëndruar në shesh për 21 ditë dhe do të vijojnë tubimin deri në marrjen e një përgjigjeje për kërkesën e tyre.
“Kryeministër, ne jemi këtu, kemi qëndruar dje këtu, kemi qëndruar që 21 ditë dhe do të vazhdojmë të jemi këtu derisa kërkesa jonë të marrë përgjigje”, u shpreh ai.
Në përfundim, Haziri u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të miratojnë Projektligjin për Dhomat e Specializuara, të cilin ai e cilësoi si “Ligjin për UÇK-në”.
“Ne kemi një kërkesë të qartë: votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara, votoje Ligjin për UÇK-në”, tha Haziri.
Protesta vijon të mbahet para Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesëmarrësit janë vendosur në zonën përreth objektit të Kuvendit.


