POLITIKË /

PS e shqyrton të enjten në Kuved, Mazniku: Opozita bllokoi Reformën Territoriale. 120 ditë komisioni nuk u mblodh

Mazniku tha se reforma nuk ishte një nismë e papritur, por një angazhim i përfshirë prej kohësh në programin e Partisë Socialiste dhe më pas në programin qeverisës.

Shkruar nga Versus

PS e shqyrton të enjten në Kuved, Mazniku: Opozita bllokoi

Deputeti i Partisë Socialiste dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka shpjeguar ecurinë e procesit të Reformës së Administrimit Territorial 2.0, duke argumentuar se puna e komisionit u pengua nga mungesa e opozitës në fazën e parë.

Mazniku tha se reforma nuk ishte një nismë e papritur, por një angazhim i përfshirë prej kohësh në programin e Partisë Socialiste dhe më pas në programin qeverisës.

“Reforma e Administrimit Territorial 2.0 është një element që ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe më pas pjesë e programit qeverisës. Kushdo që hap programin e PS-së, te kapitulli i fuqizimit të pushtetit vendor, pika e parë është pikërisht Reforma Administrative Territoriale 2.0”, deklaroi ai.

Sipas Maznikut, edhe opozita ka qenë në dijeni të propozimit për reformën dhe ka marrë pjesë në zgjedhje duke e pasur atë në programin politik të mazhorancës.

Duke folur për punën e komisionit parlamentar, Mazniku tha se ai ishte konceptuar si një proces gjithëpërfshirës, ku opozitës iu dha gjysma e anëtarëve dhe bashkëkryesia.

Megjithatë, sipas tij, mungesa e opozitës në muajt e parë ndikoi në ecurinë e procesit.

“Nga 275 ditë që ishte mandati i komisionit, 120 ditët e para komisioni nuk arriti të mblidhej sepse opozita nuk mori pjesë. Pa këto dy elemente nuk mund të zhvillonim mbledhje dhe nuk mund të miratonim rendin e ditës”, tha Mazniku.

Ai theksoi se reforma nuk ishte vetëm një proces teknik, por kishte edhe një dimension politik që kërkonte bashkëpunimin e palëve.

Mazniku tha se mazhoranca kishte ofruar garanci për përfshirjen e opozitës, por sipas tij, pasi kjo e fundit nuk pranoi të vijonte bashkëpunimin, socialistët u detyruan të përshtatnin objektivat e reformës me kohën e mbetur.

“U gjendëm përballë dy zgjedhjeve: ose reforma të dështonte, ose të bënim atë që ishte e mundur brenda kuadrit që kishim”, u shpreh ai.

Sipas Maznikut, duke qenë se ndryshimet territoriale lidhen edhe me zgjedhjet e vitit 2027, mazhoranca vendosi të “blejë kohë” dhe të shtyjë trajtimin e disa çështjeve për një fazë të mëvonshme.

Në fokus do të jenë mekanizmat e decentralizimit, funksionet e pushtetit vendor, financimi dhe mënyra e funksionimit të bashkive.

“Vendimi ynë ishte të blinim kohë, të paktën edhe një vit tjetër, për të trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me mekanizmat e decentralizimit, funksionet e pushtetit vendor, mekanizmat e financimit dhe mënyrën se si mund të funksionojnë më mirë bashkitë”, deklaroi Mazniku.

Sipas tij, faza e ardhshme e reformës synon forcimin e pushtetit vendor, përmirësimin e mekanizmave financiarë dhe rritjen e efikasitetit të bashkive në ofrimin e shërbimeve për qytetarët./Versus.al

Poll