Oferta e tretë! Kurti propozon Justina Shiroka Pulën për presidente

Kryeministri Albin Kurti i ka bërë ofertën e tretë Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit dhe kalimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës.
Në një konferencë për media, më pak se dy orë nga përfundimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, Kurti tha se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje do t’ia votojë fillimisht ndryshimet në lexim të dytë në ligjin për Specialen, nëse PDK zotohet se merr pjesë në votim për Shiroka Pulën.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, lë të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votim në zgjedhjen e presidentit, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciake paraprakisht”, tha Kurti.
Shiroka Pula ka qenë pjesëtare e PDK-së në të kaluarën.
Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 deputete e Kuvendit të Kosovës.
Vitin e kaluar, Shiroka Pula u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.




