Një aksident automobilistik është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e quajtur Jalë e Nartës, në lagjen “24 Maji” në Vlorë. Në aksident janë përfshirë një kamionçinë dhe një automjet tip furgon, i cili transportonte gjashtë persona. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas përplasjes njëri prej automjeteve ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit. Dyshohet se të plagosurit janë shtetas të huaj, me origjinë indiane, të cilët në momentin e aksidentit po udhëtonin drejt vendit të tyre të punës.

Mësohet se personat po shkonin drejt një fasonerie që ndodhet pranë zonës, ku ishin të punësuar.

"Rreth orës 07:30, në rrugën “Damian Humariti”, në vendin e quajtur “Tregu i Frutave”, janë përplasur dy automjete, me drejtues shtetasit D. D., 30 vjeç dhe E. O., 51 vjeç.

Në automjetin me drejtues shtetasin D. D. ndodheshin 5 pasagjerë, një prej të cilëve është transportuar në spital dhe, pasi ka marrë ndihmë mjekësore, është larguar. Dy drejtuesit e automjeteve janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor po kryen veprimet për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.