Panik në aeroportin e Los Anxhelosit, dy avionë përfshihen në një aksident në pistë
Një ish-oficer i CIA-s, në shtëpinë e të cilit u gjetën më herët këtë vit shufra ari me vlerë më shumë se 46 milionë dollarë, është deklaruar fajtor për akuzat për përvetësim të fondeve publike.
David Rush, 49 vjeç, përballet me akuza për përvetësimin e gati 194 milionë dollarëve. Ai u deklarua fajtor të martën, në kuadër të një marrëveshjeje pranimi fajësie me prokurorët, në gjykatën federale në Aleksandri, pranë Uashingtonit.
Dënimi i tij është caktuar për 28 janar. Rush përballet me deri në 20 vjet burg, një gjobë, si dhe detyrimin për të kthyer fondet që ka përvetësuar.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, midis tetorit 2025 dhe majit 2026, kur u arrestua, Rush punoi për të përvetësuar fondet e destinuara për operacione sekrete të CIA-s.
Në vend që t’i përdorte për qëllimet për të cilat ishin destinuar, ai dyshohet se i shpenzoi paratë për pasuri të patundshme luksoze, ora të shtrenjta, shufra ari dhe të paktën një makinë me vlerë të lartë, sipas aktakuzës.
Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij në maj, FBI gjeti dhe sekuestroi rreth 300 shufra ari, rreth 2 milionë dollarë në para të gatshme dhe rreth 30 ora luksoze.
“Shërbëtorët publikë federalë kanë për detyrë t’i shërbejnë popullit amerikan, jo vetes”, tha Prokurori i Përgjithshëm Todd Blunts.
Ndërkohë, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se Rush “abuzoi me pozicionin e tij” dhe “tradhtoi besimin publik”. Sipas tij, FBI u njoftua për rastin pas një hetimi të brendshëm të agjencisë së spiunazhit.
Sipas aktakuzës, Rush dyshohet gjithashtu se i ka dhënë informacion konfidencial në lidhje me një burim njerëzor të SHBA-së, një burim sekret, një agjenti të një qeverie të huaj të paspecifikuar në fund të vitit 2025. Megjithatë, për këtë rast ai nuk përballet me ndjekje penale, të paktën në këtë fazë.
Rush kishte leje kontrolli dhe qasje në informacione të klasifikuara si sekret për shkak të pozicionit të tij në CIA. Sipas aktakuzës, ai u emërua në këtë detyrë pjesërisht pasi kishte gënjyer për diplomat dhe karrierën e tij në Marinën Amerikane.
Top Channel