Agjencia Reuters ka raportuar për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së re të Kosovës.
Të lidhura
None found
Shiroka-Pula siguroi 81 vota nga 120 deputetë, duke marrë vetëm një votë më shumë se minimumi i kërkuar për zgjedhjen e saj. Nëse presidenti nuk do të zgjidhej brenda afatit, Kosova do të përballej me zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç kishte ndodhur edhe në qershor.
Pas konfirmimit në detyrë, presidentja e re deklaroi se mandati i saj nuk është individual, por u takon të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai u përket qytetarëve tanë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, u shpreh Shiroka-Pula.
Zgjedhja e saj u bë e mundur pas një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Marrëveshja lidhej me ndryshimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas Reuters, të hënën policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit që kërkonin miratimin e ndryshimeve ligjore, të cilat do të kufizonin kompetencat e gjykatës në Hagë. Protestat u zhvilluan pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 16 shtator, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa Jakup Krasniqi mori po ashtu 25 vjet, Kadri Veseli 18 vjet dhe Rexhep Selimi 13 vjet. Dënimi i përbashkët për katër të akuzuarit arriti në 81 vjet. Të gjithë i kanë mohuar akuzat dhe kanë të drejtë të apelojnë.
