‘Nuk më pëlqeu paraqitja’, Maran nuk fshihet pas fitores me San Marinon: Muçi kishte probleme fizike

‘Nuk më pëlqeu paraqitja’, Maran nuk fshihet pas fitores me San Marinon: Muçi kishte probleme fizike

08:32, 07/10/2026

Shqipëria mori tri pikët ndaj San Marinos, por paraqitja e kuqezinjve nuk e ka bindur trajnerin Rolando Maran. Pas fitores 2-1, tekniku italian u tregua i drejtpërdrejtë në analizën e tij, duke pranuar se skuadra pati një rënie të ndjeshme në pjesën e dytë.

Maran theksoi se Shqipëria kishte mundësi ta mbyllte ndeshjen shumë më herët, sidomos duke parë rastet e krijuara në 45 minutat e para.

‘Nuk më pëlqeu paraqitja e skuadrës, por gjëja më e rëndësishme është që morëm tri pikët. Në pjesën e dytë pati një rënie të ritmit. Në të parën kishim mundësi të shënonim më shumë gola’, u shpreh trajneri.

Sipas Maran-it, një nga problemet kryesore ishte ulja e përqendrimit pas avantazhit. Trajneri pranoi se skuadra mund të ketë menduar se ndeshja ishte vendosur dhe për këtë arsye humbi ritmin.

“Ndaj ekipeve të tilla ndonjëherë ndodh që të ulësh ritmin, sepse mendon se e ke marrë rezultatin. Ne krijuam shumë raste në pjesën e parë, patëm edhe shumë gjuajtje, por nuk arritëm t’i konkretizonim. Më pas ulëm edhe përqendrimin”, deklaroi Maran.

Tekniku italian foli edhe për vendimin për të aktivizuar më vonë Mirlind Dakun. Sipas tij, sulmuesi do të ishte më efektiv në një moment kur ndeshja do të hapte më shumë hapësira.

“E menduam pak më vonë ndryshimin për Dakun. Kur ritmi u rrit, u krijuan edhe më shumë hapësira për të. Për këtë arsye po prisnim momentin e duhur për ta futur në fushë”, shpjegoi ai.

Maran sqaroi gjithashtu arsyen e zëvendësimit të Ernest Muçit. Sulmuesi nuk mundi ta përfundonte ndeshjen për shkak të një problemi fizik.

“Muçi nuk mund të vazhdonte ndeshjen, sepse kishte probleme fizike”, tha trajneri i Shqipërisë.

Në fund, Maran rikujtoi edhe situatën në grup, duke theksuar se fitorja e mundshme ndaj Finlandës do ta kishte bërë situatën shumë më të thjeshtë për kuqezinjtë.

“Nuk duhet të harrojmë se, nëse do të kishim fituar në Finlandë, mund t’i kishim mbyllur llogaritë në grup”, përfundoi Maran.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco