Pas një dite të dytë protestash të mëdha në mbarë Francën, shkollat e mesme të mbyllura për shkak të mobilizimit studentor do të rikthehen gradualisht në funksion duke nisur nga sot.
Ministria e Arsimit u ka kërkuar institucioneve më të prekura që mësimi të rifillojë me faza, duke vendosur në përparësi nxënësit e klasave të fundit. Shkollat duhet gjithashtu të organizojnë një gjysmë dite dialogu, gjatë së cilës nxënësit do të mund të shprehin shqetësimet dhe propozimet e tyre.
Të lidhura
None found
Të dhënat zyrtare tregojnë se 891 shkolla të mesme patën probleme ose ndërprenë procesin mësimor, shifër që përbën rreth një të katërtën e afro 3,700 shkollave të mesme në vend. Sipas autoriteteve, në protesta morën pjesë mbi 250 mijë persona, ndërsa organizatat studentore flasin për rreth 450 mijë pjesëmarrës dhe rreth 1,800 shkolla të bllokuara ose të prekura nga mobilizimi.
Protestuesit kërkojnë klasa me më pak nxënës, plotësimin e vendeve të lira në radhët e mësuesve dhe investime për përmirësimin e ndërtesave shkollore.
Në Paris, aksionet e bllokimit nisën herët në mëngjes. Më pas, mijëra persona u grumbulluan në Place de la République dhe vijuan marshimin në drejtim të Place de la Nation.
Gjatë përplasjeve, policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa disa grupe demonstruesish u përfshinë në veprime të dhunshme dhe u raportua edhe për djegie objektesh.
Patrice Faure, shefi i policisë së Parisit, bëri të ditur se gjatë mobilizimit në Place de la Nation u arrestuan 32 persona dhe u plagosën 14 të tjerë. Ai theksoi se pjesa më e madhe e tubimit ishte zhvilluar në mënyrë paqësore.
Probleme pati edhe në qytete të tjera të Francës. Në Marsejë autoritetet përdorën gaz lotsjellës, ndërsa në Rennes policia ndërhyri me mjete ujore për të shpërndarë protestuesit.
Marius Mesnil, bashkësekretar i përgjithshëm i një prej sindikatave më të mëdha studentore në Francë, paralajmëroi se lëvizja do të zgjerohet dhe do të forcohet derisa studentët të binden se qeveria po i dëgjon kërkesat e tyre.
“Ne studentët nuk duhet të bllokojmë shkollat e mesme dhe të protestojmë në rrugë me qindra mijëra për të qenë në gjendje të studiojmë në mjedise normale”, deklaroi ai.
Mesnil tha se qeveria është përpjekur gjatë ditëve të fundit të krijojë përshtypjen se protestat po humbnin forcën, por sipas tij, mobilizimi i fundit me pjesëmarrje masive dëshmoi të kundërtën.
Kryeministri Sébastien Lecorni deklaroi se qeveria “tani duhet të dëgjojë”, ndërsa shprehu kënaqësi që shumica e demonstratave u zhvilluan pa incidente të rënda.
Reagimi policor ka hapur edhe një debat të gjerë për përdorimin e forcës. Shërbimi i auditimit të brendshëm të policisë franceze, IGPN, po shqyrton disa raste, përfshirë plagosjen e rëndë të një nxënësi 14-vjeçar në Saint-Ouen-l’Aumône, në veriperëndim të Parisit.
Avokati i të miturit tha se ai u godit në fytyrë nga gazi lotsjellës gjatë një bllokade në një shkollë, duke pësuar frakturë të nofullës dhe duke humbur disa dhëmbë. Një oficer policie është akuzuar për dhunë që shkaktoi paaftësi të përhershme.
Një tjetër incident ndodhi pranë një shkolle në Lens, ku një 15-vjeçar humbi krahun pasi shpërtheu një granatë anti-rrethim. Autoritetet pretendojnë se i mituri e kishte marrë mjetin nga toka pak para shpërthimit, ndërsa nxënësit thonë se ai u godit drejtpërdrejt.
Valëzimi i protestave filloi në mesin e shtatorit në shkollat e zonës Saint-Denis, në veri të Parisit. Në qendër të kërkesave ishin reduktimi i numrit të nxënësve për klasë, plotësimi i vendeve vakante në stafin mësimor dhe përmirësimi i kushteve të mjediseve shkollore.
Më pas lëvizja u shtri në të gjithë vendin dhe përfshiu edhe universitetet, ndërsa prindërit dhe sindikatat iu bashkuan protestave.
Ministri i Arsimit, Edouard Geoffrey, ka thënë se që prej nisjes së krizës ka kërkuar dialog dhe jo përjashtime. Në të njëjtën kohë, ai ka dënuar praninë e “elementëve jashtëzakonisht të dhunshëm” në protestat e studentëve.
Qeveria po përballet me presion në rritje për të dhënë përgjigje konkrete ndaj kërkesave të protestuesve. Ndërkohë, konfederata sindikale CGT ka bërë të ditur se të enjten do të zhvillohen protesta të tjera studentore dhe shkollore.
