
Ishte nata kur një epokë mori fund. Lionel Messi i tha lamtumirë fanellës së Argjentinës, në një mbrëmje të paharrueshme në “Monumental”, aty ku më shumë se 85 mijë tifozë u mblodhën për të përshëndetur kapitenin e tyre për herë të fundit.
Përballë Beninit, Argjentina fitoi 3-0, por rezultati ishte vetëm pjesa më e vogël e historisë. Messi ishte protagonist absolut edhe në ndeshjen e fundit: asistoi për Nicolas Otamendin në minutën e 48-të, shërbeu Nico Pazin për golin e dytë dhe në minutën e 71-të shënoi vetë nga pika e bardhë e penalltisë, shkruan A2.
Një gol dhe dy asistime në ndeshjen e fundit, një skenar që dukej sikur ishte shkruar posaçërisht për të.
Por emocionet nisën shumë përpara vërshëllimës së parë. Messi u përlot gjatë himnit, ndërsa në fushë ishte shpalosur një fanellë gjigante e Argjentinës me numrin 10 dhe fjalën ''''Gracias''. Në minutën e 10-të, loja u ndal për një ovacion të gjatë në nder të kapitenit.
Messi mbyll kështu 21 vite me kombëtaren argjentinase. Debutimi i tij në një Botëror erdhi në vitin 2006, ndërsa aventura me Albicelesten u kurorëzua me trofe që për vite dukej se i mungonin: Copa America 2021, Finalissima dhe Botërori 2022, përpara se Argjentina të arrinte sërish në finalen e Botërorit 2026.
Dhe shifrat tregojnë madhështinë e kapitullit që u mbyll: 208 ndeshje dhe 126 gola, rekord absolut për Argjentinën.
Në fund, Messi mori mikrofonin. Me lot në sy, falënderoi tifozët, shokët e skuadrës dhe të gjithë ata që e shoqëruan gjatë këtij rrugëtimi. Për të, largimi nga kombëtarja është një nga momentet më të dhimbshme të karrierës. Por në Buenos Aires, askush nuk po mendonte për fundin. Ishte një natë falënderimi.
Sepse Messi nuk largohet thjesht nga kombëtarja. Ai mbyll një histori 21-vjeçare, nga djaloshi që dikur kërkonte dashurinë e tifozëve argjentinas, te kapiteni që i riktheu vendit Kupën e Botës. (A2 Televizion)