Iu gjetën 303 shufra ari në shtëpi, ish-agjenti i CIA-s pranon fajin për përvetësimin e 194 milionë dollarëve

Një ish-punonjës i CIA-s, në shtëpinë e të cilit u gjetën më herët gjatë këtij viti shufra ari me vlerë mbi 46 milionë dollarë, ka pranuar fajësinë për akuzën e keqpërdorimit të fondeve publike.
David Rush, 49 vjeç, i cili akuzohet se ka përvetësuar rreth 194 milionë dollarë, u deklarua fajtor të martën në një gjykatë federale në Alexandria, Virginia, pas një marrëveshjeje me prokurorët.
Dënimi i tij është caktuar për 28 janar. Rush përballet me deri në 20 vite burg, gjobë dhe detyrimin për të kthyer fondet e përvetësuara.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, nga tetori 2025 deri në arrestimin e tij në maj 2026, Rush kishte krijuar një skemë për të përvetësuar para që ishin destinuar për operacione sekrete të CIA-s.
Prokuroria pretendon se ai i përdori fondet për të blerë prona luksoze, orë me vlerë të lartë, shufra ari dhe të paktën një automjet luksoz.
Gjatë një kontrolli në banesën e tij në maj, FBI-ja sekuestroi rreth 300 shufra ari, afërsisht 2 milionë dollarë në para cash dhe rreth 30 orë luksoze.
“Zyrtarët federalë kanë për detyrë t’i shërbejnë popullit amerikan, jo vetes së tyre”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, duke shtuar se Rush kishte abuzuar me detyrën dhe kishte tradhtuar besimin e publikut.
Edhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se Rush duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për veprimet e tij. Sipas tij, çështja iu referua FBI-së pas një hetimi të brendshëm të agjencisë.
Rush dyshohet gjithashtu se, në fund të vitit 2025, i kishte dhënë informacione konfidenciale mbi një burim sekret amerikan një agjenti të një qeverie të huaj, identiteti i së cilës nuk është bërë publik. Për këtë episod, megjithatë, ai nuk është akuzuar deri më tani.
Ish-punonjësi i CIA-s kishte autorizim për të trajtuar dokumente tepër sekrete dhe akses në informacione të klasifikuara. Sipas aktakuzës, ai ishte punësuar pjesërisht duke dhënë informacione të rreme për diplomat e tij dhe karrierën në Marinën amerikane.




