Maran: Nuk më pëlqeu paraqitja, duhej ta kishim mbyllur në pjesën e parë!
Shqipëria mori një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj San Marinos, por paraqitja e kuqezinjve nuk e ka bindur trajnerin Rolando Maran. Në përfundim të takimit, tekniku italian pranoi se skuadra e tij hasi vështirësi, veçanërisht në pjesën e dytë, ndërsa theksoi se ndeshja duhej të ishte mbyllur shumë më herët.
“Nuk më ka pëlqyer paraqitja e skuadrës, por në fund morëm tri pikët. U vumë në vështirësi, sepse krijuam shumë raste në pjesën e parë dhe nuk i shfrytëzuam. Në pjesën e dytë ulëm ritmin dhe e pësuam. E rëndësishme është që morëm tri pikët përballë tifozëve”, deklaroi Maran.
Trajneri i kuqezinjve nënvizoi se Shqipëria kishte mundësinë për të siguruar një fitore më të thellë, duke marrë parasysh rastet e krijuara gjatë 45 minutave të para.
“Ndonjëherë ndaj skuadrave të tilla ulet ritmi pas golit, sepse mendon se ke fituar. Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë. Krijuam shumë dhe gjuajtëm disa herë në portë. Duhet të ishte një rezultat i thellë. Duhet të kishim shënuar të dytin”, u shpreh ai.
I pyetur për zgjedhjen për të aktivizuar së bashku Rey Manajn dhe Mirlind Dakun, Maran zbuloi se kjo ishte një ide që e kishte menduar edhe më herët.
“Manaj-Daku? E kisha menduar edhe më herët, por duke qenë se ishim në menaxhim të rezultatit, e shtymë për më vonë. Kur ritmi i lojës u shtua, me futjen e Dakut kishte raste. Muçi nuk mund të vazhdonte ndeshjen”, tha trajneri.
Maran u ndal edhe te bilanci i pikëve të grumbulluara nga Shqipëria, duke kujtuar se kuqezinjtë mund të kishin një total edhe më të lartë.
“I kënaqur me 9 pikë? Nuk duhet të harrojmë. Nëse llogarisim edhe ndeshjen me Finlandën, mund të ishim me 12 pikë në grup”, përfundoi Maran.


