Familjet shqiptare shpenzojnë 95 mijë lekë në muaj, ushqimet marrin 40% të buxhetit

7 Tetor 2026, 09:10Sociale TEMA
Familjet shqiptare shpenzojnë 95 mijë lekë në muaj, ushqimet

Shpenzimet familjare u rritën me 2,3% në 2025. Argëtimi dhe kultura shënuan rritjen më të madhe, ndërsa Tirana kryeson me mbi 110 mijë lekë shpenzime mujore

Familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 95.227 lekë në muaj për konsum gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 2,3% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e reja të INSTAT tregojnë se shpenzimet totale mujore për konsum të familjeve në Shqipëri arritën në rreth 72,3 miliardë lekë, ose 2,6% më shumë se në vitin 2024. Një familje përbëhej mesatarisht nga 3,1 persona.

Pavarësisht rritjes së shpenzimeve, pjesa më e madhe e buxhetit familjar vijon të shkojë për nevojat bazë. Ushqimet dhe pijet jo-alkoolike përbëjnë zërin kryesor të konsumit, me 37.859 lekë në muaj, ose 39,8% të gjithë buxhetit familjar.

Brenda këtij grupi, peshën më të madhe e zënë perimet, me 20,2%, të ndjekura nga mishi dhe nënproduktet e tij, me 16,6%, si dhe qumështi, djathi dhe vezët, me 15,5%.

Ndryshimi më i fortë në strukturën e konsumit gjatë vitit 2025 është regjistruar te argëtimi dhe kultura, ku shpenzimet u rritën me 10% krahasuar me vitin 2024.

Pas tij renditen pijet alkoolike dhe duhani, me një rritje prej 5,1%, dhe transporti, me 5%.

Në strukturën e përgjithshme të buxhetit, argëtimi dhe kultura zënë tashmë 2,8%, nga 2,6% një vit më parë. Transporti zë 7,2%, ndërsa shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan 4,3%.

Banesa dhe restorantet, dy zëra të rëndësishëm

Shpenzimet për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë e paguar arrijnë mesatarisht në 9.218 lekë në muaj, duke zënë 9,7% të buxhetit familjar.

Ndërkohë, për restorante dhe hotele familjet shpenzojnë mesatarisht 7.153 lekë në muaj, ose 7,5% të totalit.

Në raport me vitin 2024, pesha e shpenzimeve për banesën është rritur nga 9,6% në 9,7%, ndërsa ajo për restorante dhe hotele ka zbritur lehtë, nga 7,6% në 7,5%.

Tirana shkëputet nga qarqet e tjera

Diferencat rajonale në nivelin e konsumit mbeten të ndjeshme.

Familjet në qarkun e Tiranës kanë shpenzimet mesatare mujore më të larta në vend, me 110.904 lekë, dukshëm mbi mesataren kombëtare prej 95.227 lekësh.

Pas Tiranës renditen Korça me 93.381 lekë dhe Durrësi me 91.992 lekë në muaj.

Në skajin tjetër janë Kukësi, me 76.009 lekë, dhe Dibra, me 77.027 lekë shpenzime mesatare mujore për konsum.

Të dhënat tregojnë kështu një diferencë prej rreth 35 mijë lekësh në muaj mes familjeve në Tiranë dhe atyre në qarkun me nivelin më të ulët të shpenzimeve, Kukësin.

Ushqimi vijon të dominojë buxhetin

Në strukturën e konsumit, ushqimi mbetet zëri kryesor dhe ndryshimi nga viti i kaluar është i kufizuar: nga 39,6% në 2024 në 39,8% në 2025.

Shpenzimet për veshje dhe këpucë zënë 5%, mobilimin dhe mirëmbajtjen e banesës 6,6%, shëndetin 3,4%, komunikimin 3,7%, arsimin 3,3%, ndërsa mallrat dhe shërbimet e tjera 6,6%.

Të dhënat e INSTAT sugjerojnë se, edhe pse konsumi familjar është zgjeruar gjatë vitit 2025, pothuajse 4 në çdo 10 lekë të shpenzuar nga familjet vijojnë të shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike.

Anketa e Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare është një nga burimet kryesore statistikore për të analizuar situatën socio-ekonomike të familjeve në Shqipëri./ekofin.al

Lini një Përgjigje