Banditët sulmojnë një minierë në Nigeri, vriten 12 ushtarë dhe 5 minatorë
Christa Pike, 50 vjeçe, është zgjuar dhe ka nisur të flasë, gjashtë ditë pasi ekzekutimi i saj me injeksion vdekjeprurës dështoi në shtetin amerikan të Tennessee.
Avokatët e saj, Randy Spivey dhe Kelly Gleason, deklaruan se Pike vijon të marrë kujdes intensiv mjekësor, ndërsa gjendja e saj mbetet kritike.
“Kundër të gjitha gjasave, Christa Pike është e vetëdijshme, flet dhe vazhdon të marrë kujdes kritik mjekësor”, thanë avokatët në një deklaratë.
Sipas tyre, pavarësisht dëmtimeve të rënda në krahë, Pike vazhdon të jetë e prangosur dhe e lidhur me shtratin e spitalit.
“Shërimi i saj është i paprecedentë nga pikëpamja mjekësore. Prognoza mbetet e paqartë, por të paktën presim një rikuperim të gjatë”, thanë avokatët.
Pike ishte planifikuar të ekzekutohej më 30 shtator në burgun Riverbend Maximum Security Institution në Nashville. Autoritetet i administruan dy doza pentobarbitali, por ajo nuk vdiq.
Pas përpjekjes së dështuar, Pike mbeti pa ndjenja dhe nën ventilim mekanik, ndërsa avokatët e saj shprehën shqetësimin se mund të kishte pësuar dëmtime të trurit.
Dr. Joel Zivot, një ekspert që ka këshilluar ekipin ligjor të Pike, tha për Associated Press se fakti që ajo tashmë mund të marrë frymë pa ventilator dhe të flasë është një shenjë pozitive.
Megjithatë, ai paralajmëroi se rreziku serioz për shëndetin e saj nuk ka kaluar.
“Ajo ka ende një rrugë të gjatë përpara për t’u rikuperua. Të paktën shtatë gjilpëra në krahun e majtë”, tha Zivot.
Ekzekutimi dështoi pasi ekipi i burgut pati vështirësi të gjente një venë për vendosjen e linjës intravenoze.
Avokati Randy Spivey, i cili ishte i pranishëm gjatë procedurës, tha se kishte numëruar të paktën shtatë gjilpëra të përdorura vetëm në krahun e majtë të Pike.
Sipas tij, njëra prej gjilpërave dukej e përkulur kur u hoq pas një tentative të pasuksesshme. Avokatët thanë gjithashtu se Pike ishte përpjekur të ndihmonte vetë ekipin e ekzekutimit duke u treguar se ku mund të gjenin venat.
“Ajo ishte bashkëpunuese dhe përpiqej t’i udhëzonte personat që vendosnin linjat intravenoze”, tha avokati Stephen Ferrell.
Pas ekzekutimit të dështuar, u publikua një fotografi që tregonte dëmtime të konsiderueshme në krahun e Pike. Avokatët e saj i përshkruan krahët si të enjtur, të djegur dhe me flluska.
Spivey e cilësoi procedurën si “joefikase, mizore dhe torturuese” dhe kërkoi që autoritetet të mos tentojnë një ekzekutim të dytë.
Guvernatori i Tennessee, Bill Lee, ka urdhëruar një hetim të pavarur mbi atë që ndodhi dhe ka pezulluar ekzekutimet në shtet për pjesën e mbetur të vitit.
Ndërkohë, komisioneri i Departamentit të Korrigjimeve të Tennessee, Frank Strada, dha dorëheqjen pas incidentit. Ai kishte mbikëqyrur pesë ekzekutime të cilat, sipas raportimeve, patën probleme serioze.
Christa Pike ndodhet në burgun e vdekjes për vrasjen në vitin 1995 të Colleen Slemmer, 19 vjeçe, shoqe e saj e kolegjit. Sipas autoriteteve, Slemmer u torturua dhe u godit për vdekje përpara se Pike të merrte një pjesë të kafkës së viktimës.
Ekzekutimi i Pike ishte ndalur përkohësisht vetëm një orë para procedurës, pasi avokatët argumentuan se abuzimet që ajo kishte përjetuar gjatë fëmijërisë nuk ishin marrë siç duhet në konsideratë gjatë dënimit. Gjykata Supreme e SHBA-së e hoqi më pas pezullimin, duke i hapur rrugë ekzekutimit.
Çfarë ndodhi në dhomën e ekzekutimit?
Një prej gazetarëve që ishte i pranishëm, Will Puckett, tha se dëgjoi Pike duke marrë frymë dhe duke nxjerrë tinguj që i ngjanin gërhitjes ose mbytjes.
Ai përshkroi frymëmarrjen si ritmike, por në disa momente të vështirësuar. Sipas dëshmitarit, trupi i Pike në një moment u ngrit nga shtrati në formë “V”-je dhe më pas ra përsëri mbi të.
Deri tani, autoritetet e Tennessee nuk kanë bërë të ditur nëse do të tentojnë ta ekzekutojnë sërish Christa Pike. Avokatët e saj i kanë kërkuar guvernatorit Bill Lee që t’ia zëvendësojë dënimin me vdekje me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Top Channel