POLITIKË /

3 vite nga sulmi i Hamasit në Izrael, Rama: Besa që dhamë kërkon të jemi besnikë ndaj miqve tanë hebrenj

Rama shprehu sërish ngushëllimet ndaj familjarëve të viktimave të sulmit fatkeq.

Shkruar nga Versus

3 vite nga sulmi i Hamasit në Izrael, Rama: Besa që dhamë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tre vjetorin e sulmeve të grupit terrorist të Hamasit ndaj qytetarëve që festonin në Izrael. Në një postim të bërë në rrjetin social "X", Rama kujton edhe ndihmën që shqiptarët dhanë për hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore duke i strehuar në shtëpitë e tyre. 

Më tej shkruan se "BESA" e dhënë, kërkon që shqiptarët të mbeten besnik ndaj miqve të tyre hebrenj në çastet më të errëta. 

"Kanë kaluar tri vite që nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të afërmit e të cilave u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata, jeta e të cilëve u shkatërrua, dhe për të mbijetuarit që mbartin plagë të padukshme për syrin, ai mëngjes nuk ka përfunduar kurrë vërtet.

Në fillim të këtij viti, qëndrova në vendin e festivalit "Nova". Ka vende ku heshtja flet më fuqishëm se fjalët, dhe "Nova" është një prej tyre. Të rinj nga shumë kombe ishin mbledhur aty për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, por jeta u ishte rrëmbyer nga errësira e urrejtjes dhe e terrorit.

Në Shqipëri, ne kemi një fjalë që përmbledh një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të shkelet.

Në çastet më të errëta të Evropës, gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke u ofruar strehë hebrenjve gjatë Holokaustit, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar njerëz të dënuar me vdekje.

Sot, ajo trashëgimi kërkon diçka prej nesh. Ajo kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që hidhërimi të mos lihet kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet kurrë më të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve, dhe që ne të mbetemi besnikë ndaj miqve tanë edhe në çastet e tyre më të errëta.

Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që mban zi sot: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm"- shkruan Rama. Versus.al

Poll