Ish-partnerja e Drake njofton shtatzëninë, reperi: Nuk jam unë babai

Drake ka mohuar zërat se do të bëhet sërish baba, pasi ish-partnerja e tij, Keshia Chante, njoftoi se është shtatzënë me fëmijën e saj të parë.
Një përfaqësues i reperit 39-vjeçar kanadez deklaroi për “People” se Drake nuk është babai i fëmijës. “Është e pavërtetë”, u shpreh ai të martën, më 6 tetor, duke hedhur poshtë raportimet që qarkulluan në mediat rozë.
Thashethemet nisën pas njoftimit të shtatzënisë nga Keshia Chante në rrjetet sociale. Ajo është në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe ka bërë të ditur se pret një djalë, ndërsa nuk ka zbuluar identitetin e babait.

Në një intervistë për “Hello! Canada”, Chante u shpreh se nuk është beqare. Duke folur për partnerin e saj, ajo tha se është “shumë inteligjent dhe jashtëzakonisht krijues”, duke shtuar se do të dëshironte që djali i saj të kishte “lëvizjet dhe stilin e tij”.
Keshia Chante dhe Drake kanë qenë në një lidhje në të kaluarën. Ajo besohet se ka qenë frymëzim për vargun “Kiki, do you love me?” në hitin e Drake të vitit 2018, “In My Feelings”.
Në vitin 2022, Drake foli me vlerësim për Chante, kur e ftoi në skenën e festivalit hip-hop dhe R&B, “OVO Fest”, duke e prezantuar si “të dashurën e tij të parë”.
Drake është tashmë baba i një djali 8-vjeçar, Adonis Graham, të cilin e ka me artistja franceze Sophie Brussaux. Reperi konfirmoi publikisht se kishte një fëmijë përmes këngës “March 14”, të publikuar në vitin 2018.




