
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Roskovecit, duke lënë të plagosur një grua rreth 75 vjeçe. Konkretisht, ngjarja ka ndodhur në banesën ku jetonte çifti i të moshuarve, Nexhip dhe Naile Sadiku.
Sipas të dhënave paraprake, Naile Sadiku ka qenë duke ndezur sobën me gaz në momentin kur ka ndodhur shpërthimi. Dyshohet se shkak është bërë rrjedhja e gazit nga bombula, ndërsa shpërthimi i ka shkaktuar 75-vjeçares djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas shpërthimit, fqinjët dhe të afërmit kanë shkuar menjëherë në banesë për tu ardhur në ndihmë të moshuarve dhe kanë njoftuar shërbimet e emergjencës. Më pas, e plagosura është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin mjekësor për shkak të djegieve dhe plagëve të marra.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesë. Një prej kateve të shtëpisë është dëmtuar rëndë, ndërsa disa pjesë të saj janë shembur. Sipas të afërmve, çifti i të moshuarve jetonte i vetëm në banesë, ndërsa djemtë e tyre ndodhen në emigracion.