30 kg kokainë e cilësisë më të lartë/ Shqiptari kapet në flagrancë me drogën me vlerë 6.8 mln euro

30 kg kokainë e cilësisë më të lartë/ Shqiptari kapet në flagrancë me drogën me vlerë 6.8 mln euro

09:47, 07/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

30 kilogramë kokainë mjaft e pastër, e konfeksionuar në 27 pako, një garazh në periferi të Romës dhe një vlerë e përllogaritur prej 6.8 milionë eurosh në tregun e pakicës: këto janë shifrat kryesore të operacionit të sotëm që çoi në pranga një shtetas shqiptar në Tor Lupara.

Operacioni u krye nga efektivët e Guardia di Finanza të Komandës Provinciale të Romës, në kuadër të kontrolleve të përforcuara kundër trafikut të drogës dhe veprimtarive kriminale në territorin e kryeqytetit italian.

Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi gjatë një kontrolli rutinë të një automjeti nga një patrullë që ishte pjesë e dispozitivit të përhershëm të kontrollit të territorit në zonat përreth Romës.

Gjatë patrullimit, efektivët identifikuan nje shtetas shqiptar që lëvizte me automjetin e tij në afërsi të një garazhi në Tor Lupara.

Sjellja e tij gjatë kontrollit dhe identifikimit shfaqi nervozizëm të dukshëm, çka i shtyu efektivët të thellonin verifikimet. Kontrolli nuk u kufizua vetëm te automjeti.

Financierët përdorën menjëherë bazat operative të të dhënave e informacioni u plotësua nga verifikimet e kryera në të njëjtën kohë nga Salla Operative e Komandës Provinciale të Romës.

Nga këto kontrolle u siguruan elemente të tjera që orientuan hetimin drejt automjetit dhe ambientit që ishte në dispozicion të shqiptarit. Brenda garazhit të tij u gjendën 30 kilogramë kokainë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet italiane, droga ishte e ndarë në disa paketime. Në dy çanta të mëdha u gjetën 27 pako me lëndë narkotike, të identifikuara me marka dhe shenja të ndryshme dalluese.

Përveç tyre, u gjet edhe sasi tjetër droge e paketuar në qese të mbyllura hermetikisht, duke treguar, sipas hetuesve, për një ngarkesë të konsiderueshme të destinuar për tregun e shpërndarjes.

Sipas vlerësimit të autoriteteve italiane, nëse rreth 30 kilogramët e kokainës do të hidhnin në tregun me pakicë në zonën e Romës, ngarkesa mund të arrinte një vlerë totale prej rreth 6.8 milionë eurosh.

Shtetasi shqiptar u arrestua në flagrancë dhe, me urdhër të Prokurorisë së Republikës së Tivolit, u dërgua në burgun Rebibbia Nuovo Complesso, në Romë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco