Kosova me Presidente të re, Betohet Justina Shiroka-Pula: Mbroj sovranitetin dhe shtetin

Nga A2 CNN
7 Tetor 2026, 10:17 | Politikë

Kosova ka një presidente të re! Justina Shiroka-Pula u zgjodh që në raundin e parë nga Kuvendi me 81 vota pro, ndërsa rivalja e saj, Eliza Hoxha, mori vetëm 1 votë, me një proces që nisi pak minuta para mesnate dhe zgjati përtej afatit kushtetues të 6 tetorit.

Menjëherë, Presidentja hyri në sallë dhe bëri betimin para deputetëve që ishin të pranishëm: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia. Betohem”.

Në fjalimin e parë u zotua që të jetë presidente të gjithëve, pa dallim etnie apo partie: “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe për forcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara”.

Menjëherë, deputetët dhe ministrat nxituan që ta uronin dhe përqafonin presidenten e re. Pas një ping-pongu presioni përmes konferencave urgjente dhe ofertash të ndryshme, Shiroka-Pula u propozua në çastet e fundit të afatit për presidentin e ri nga kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, dhe kandidatura e saj u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. PDK e propozoi si kundërkandidate të saj deputeten e vet, Eliza Hoxhën.

Shiroka-Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975. Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik.

Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2011, Shiroka-Pula ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos