Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, për gjuhën shqipe. Ajo e akuzoi atë për manipulim të opinionit, frikësim të qytetarëve dhe nxitje të krizave të sajuara.
Të lidhura
None found
Sipas Imeri Stafait, statusi i gjuhës shqipe nuk është cenuar dhe nuk do të cenohet. Për këtë arsye, ajo i kërkoi Ademit dhe BDI-së të heqin dorë nga, siç e cilësoi, politika e frikës dhe destabilizimit.
“Kur ju mungon kauza, shpikni lajme, krijoni huti dhe përpiqeni të trembni qytetarët. Por qytetarët nuk harrojnë dhe nuk mashtrohen më lehtë”, deklaroi deputetja e VLEN-it.
Stafai i bëri thirrje Ademit të rishikojë qasjen politike dhe ta përqendrojë energjinë në hartimin e një alternative, në vend që të krijojë situata artificiale krize.
“O Arbër, është koha të reflektoni. Po ecni në drejtimin e gabuar. Në vend që të prodhoni kriza artificiale, shikoni përpara. Krijoni vizion. Jepni një alternativë politike që i përgjigjet të ardhmes së shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve”, u shpreh ajo.
Gjatë reagimit të saj, deputetja kritikoi edhe mënyrën se si funksionon aktualisht BDI-ja. Ajo tha se një subjekt politik nuk mund të mbështetet vetëm te një drejtues, ndërsa me ironi iu referua rezultatit elektoral të Ali Ahmetit në vendbanimin e tij.
“Një parti nuk mbahet gjallë vetëm nga një kryetar. Aq më pak kur ai nga vendbanimi i tij vjen veç me 1000 vota, edhe atë të mbushura që në mëngjes!”, theksoi Imeri Stafai.
Ajo vlerësoi se gjatë viteve, BDI-ja është mbështetur dhe është çuar drejt fitoreve nga shumë individë, të cilët kanë krijuar emër dhe kanë siguruar besimin e qytetarëve përmes rezultateve të tyre.
Në përmbyllje të reagimit, Imeri Stafai i kërkoi BDI-së të distancohet nga praktikat politike të së kaluarës dhe të pranojë realitetin e ri politik.
“Koha e politikës së frikës po përfundon. Qytetarët duan qetësi, zhvillim, përfaqësim dhe vizion. Jo skenarë të vjetër, jo panik dhe jo destabilizim”, përfundoi ajo në postimin e publikuar në Fejsbuk.
