Fliste në Instagram me një të mitur, kush është efektivi i policisë që u dhunua në Krujë, dyshohet se vëllezërit e vajzës e goditën me sende të forta

Alesio Basha, efektiv i Patrullës së Policisë në Komisariatin e Krujës, është 19-vjeçari që u dhunua mbrëmjen e kaluar pranë banesës së tij. Basha kishte vetëm rreth një muaj që kishte nisur punën në Komisariatin e Krujës dhe në momentin e ngjarjes ishte jashtë shërbimit, pasi kishte përfunduar turnin e dytë.
Sipas të dhënave paraprake, efektivit i është zënë pritë pranë banesës, ku persona të maskuar e kanë goditur me sende të forta, mes tyre edhe me shkop bejsbolli. Basha ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me komunikimin që 19-vjeçari kishte pasur në Instagram me një vajzë të mitur. Sipas hetimeve paraprake, familjarët e vajzës kishin mësuar për këtë komunikim dhe dyshohet se nuk e kanë pranuar atë.
Pas kallëzimit të efektivit, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Këqyrja e kamerave të sigurisë ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë automjetin me të cilin dyshohet se janë larguar personat e përfshirë në ngjarje.
Vëllezërit e vajzës janë shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të dyshuar.




