Bordi i transparencës ka ndërhyrë te çmimi karburanteve duke rishikuar me ulje çmimet tavan si për naftën, ashtu edhe për benzinën. Sipas çmimeve të reja, nafta do të shitet me 210 lekë për litër në tregun e pakicës, ose 3 lekë më pak nga çmimi i fundit tavan. Në tregun e shumicës, nafta do të shitet me 198 lekë. Benzina u ul po me 3 lekë në tregun e pakicës, duke shkuar nga 193 lekë për litër në 190 lekë për litër. Ndërkohë, me shumicë benzina do të tregtohet 178 lekë. Bordi thotë se çmimet e vendosura do të jenë në fuqi deri në një vendim të ri dhe se niveli tavan i tyre përcaktohet në bazë të luhatjes në bursat ndërkombëtare. Qeveria vendosi ringritjen e bordit në mbledhjen e 16 shtatorit pas rritjes së fortë të çmimeve të karburanteve, ku një litër naftë arriti deri në 230 lekë në pikat e shitjes me pakicë.