Aktualitet

Kryetarja e AMA-s flet për videot intime në rrjetet sociale: E neveritshme, e përbuz me forcë

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka folur për rastet e videove intime të shpërndara në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se deri më tani në institucion nuk ka mbërritur asnjë ankesë për këto pamje.

E ftuar në emisionin “Tech Talk” me Kristi Gongon dhe Kushtrim Shalën, Krasniqi tha se AMA ka marrë ankesa për gjuhën e përdorur gjatë debatit publik, por jo për vetë videot intime të publikuara dhe të shpërndara në platformat digjitale.

“Para së gjithash, çka ka ndodhur është e neveritshme. E përbuz me forcë. Por sa i takon institucionit, ne duhet të kemi një ankesë. Dhe nëse kemi pasur ankesa edhe për gjuhën që tejkalon normën etike, në këtë rast ne nuk kemi patur ankesa”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi theksoi rëndësinë e reagimit dhe raportimit nga publiku, ndërsa dënoi me forcë shpërndarjen e materialeve intime në rrjetet sociale.

Edhe pse legjislacioni aktual nuk e përfshin monitorimin e platformave digjitale në të njëjtën mënyrë si mediat audiovizive, AMA ka vendosur një bashkëpunim me TikTok.Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, personat e prekur, por edhe qytetarët që identifikojnë pamje të tilla në platformë, mund t’i drejtohen AMA-s dhe të paraqesin ankesën e tyre përmes faqes zyrtare ama.gov.al.