Francë, 15-vjeçari humbi dorën, pezullohet përdorimi i gazit lotsjellës në protestat e nxënësve

Qeveria franceze ka vendosur të pezullojë përdorimin e gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera të kontrollit të turmave nga policia gjatë protestave të nxënësve, pas shtimit të rasteve të raportuara të dhunës policore.
Vendimi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm Laurent Nuñez, pas plagosjes së rëndë të një 15-vjeçari gjatë protestave të së hënës. I riu pësoi dëmtime të rënda dhe humbi njërën dorë pas përdorimit të një granate trullosëse nga policia. Nuñez tha se përdorimi i këtyre mjeteve do të pezullohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Rasti i 15-vjeçarit nuk është i vetmi që ka shkaktuar reagime. Një javë më parë, një 14-vjeçar në veriperëndim të Parisit u godit në fytyrë nga një mjet me gaz lotsjellës i përdorur nga distancë e afërt dhe humbi disa dhëmbë. Për këtë incident është vënë nën akuzë një efektiv policie.
Protestat e nxënësve kanë nisur në fund të shtatorit, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe rritjen e numrit të mësuesve. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 250 mijë persona morën pjesë në protestat e së martës në të gjithë Francën, ndërsa 488 persona u arrestuan dhe 43 efektivë policie u plagosën.
Qeveria franceze ka urdhëruar gjithashtu 18 hetime të brendshme për pretendime për përdorim të papërshtatshëm ose të tepruar të forcës. Ndërkohë, më shumë se 500 shkolla vijonin të ishin të paktën pjesërisht të bllokuara nga nxënësit, ndërsa autoritetet po përpiqen të ulin tensionet përmes dialogut me nxënësit dhe stafin arsimor.




