Një 59-vjeçar shqiptar, ka humbur jetën pasi ra nga skela e një kantieri ndërtimi në Rivabella të Riminit. Mediat italiane shkruajnë se, ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të së hënës.
Viktima është shtetasi Saim Myrtaj.
Të lidhura
None found
Pas tragjedisë, Prokuroria e Riminit ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, aktualisht ndaj personave të paidentifikuar, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Një prej pikave kryesore të hetimit, është përcaktimi i shkakut të rënies. Autoritetet po verifikojnë nëse Myrtaj humbi aksidentalisht ekuilibrin, nëse mund të ketë pësuar ndonjë problem shëndetësor apo nëse ka pasur probleme me kushtet e sigurisë në kantier.
Sipas mediave italiane, hetuesit kanë vendosur nën sekuestro skelën nga e cila ra 59-vjeçari. Do të kontrollohet struktura e saj, sistemet mbrojtëse, mënyrat e kalimit nga një nivel në tjetrin dhe respektimi i rregullave të sigurisë për punën në lartësi.
Gjithashtu, autoritetet do të verifikojnë se çfarë pajisjesh personale mbrojtëse kishte veshur Myrtaj në momentin e aksidentit.
Një rol të rëndësishëm në hetim pritet të ketë edhe autopsia, e cila do të përcaktojë me saktësi shkakun e vdekjes dhe dëmtimet e pësuara. Ekzaminimi mund të ndihmojë gjithashtu në rindërtimin e momenteve para rënies.
Sipas rindërtimit paraprak, i cili ende po verifikohet nga hetuesit, Myrtaj ndodhej i vetëm në nivelin e dytë të skelës, e vendosur përgjatë fasadës së jashtme të një pallati dykatësh ku po kryheshin punime mirëmbajtjeje.
Ai dyshohet se ka rënë përmes hapësirës në platformën e skelës që përdorej për kalimin e shkallës nga një nivel në tjetrin.
Pas një rënieje prej disa metrash, 59-vjeçari përfundoi në tarracën e një apartamenti në katin e parë.
Alarmi u dha nga banori i apartamentit, i cili dëgjoi një përplasje të fortë nga jashtë. Kur doli të shihte se çfarë kishte ndodhur, ai u përball me skenën tragjike dhe njoftoi menjëherë autoritetet.
Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe teknikë të mjekësisë së punës. Në orët pas aksidentit, në polici është marrë në pyetje punëdhënësi i Myrtajt, pronar i një kompanie ndërtimi në zonë.
Nga të dhënat e para, 59-vjeçari rezulton se kishte një numër identifikimi tatimor dhe punonte si artizan i pavarur për llogari të kompanive të tjera. Në të kaluarën ai kishte pasur edhe aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit.
Myrtaj ishte zhvendosur në Rimini në fillim të viteve 2000 dhe kishte punuar kryesisht si murator. Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje edhe në komunitetin shqiptar të zonës së Riminit. Shoqata Agimi Rimini shprehu publikisht ngushëllimet për familjen dhe dhimbjen për humbjen e bashkatdhetarit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse aksidenti ishte pasojë e një rrethane të rastësishme apo nëse në kantier ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë.







