Ministri Demo tek Akademia e Sigurisë: Rritje e konsiderueshme pagash për Policinë e Shtetit
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ishte me studentët e Akademisë së Sigurisë, ku vuri theksin te përgjegjësia që mbart brezi i ri i Policisë së Shtetit dhe nevoja për një polici moderne, profesionale dhe me integritet.
Demo theksoi se uniforma e shtetit është përgjegjësi dhe jo privilegj, ndërsa autoriteti i dhënë nga ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet. “Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet”, tha ai. Ministri nënvizoi se qytetari duhet të jetë në qendër të punës së Policisë së Shtetit dhe se ligji vlen njëlloj për të gjithë, pa dallim statusi, lidhjeje, bindjeje apo pozite, duke kërkuar zero kompromis me korrupsionin. Sipas Demo, sfidat e reja të sigurisë kërkojnë një polici të mbështetur te dija, teknologjia, përgatitja profesionale dhe parandalimi, pasi krimi po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar.
Një tjetër element i rëndësishëm i standardit të ri lidhet me trajtimin dhe vlerësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ministri Demo bëri të ditur se rritja e pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit është në rrugë të mbarë, duke paralajmëruar një rritje të konsiderueshme. “Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë përsa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj ditën që ju do të dilni në detyrë do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj”, evidentoi Demo.
Sipas ministrit, ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një standardi të ri për trupën e Policisë, duke kombinuar përgjegjësinë profesionale me vlerësimin dhe mbështetjen që punonjësit meritojnë.
“Një standard i ri unë besoj që fillon nga brezi i ri, e unë jam i bindur që ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj çfarë ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur eksperiencën e ndërtuar prej vitesh e vitesh në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur të gjithë atë që është realizuar me shumë mund dhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, nënvizoi ministri.

