Avokati i drejtohet Gjykatës për kalimin e afatit në zgjedhjen e Presidentes së Kosovës, Kushtetuese rrëzon kërkesën
Marta Kos paralajmëron se Mali i Zi mund ta nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në Bashkimin Europian gjatë verës së vitit të ardhshëm.
Komisionerja e zgjerimit pohoi se pjesa teknike e negociatave me Podgoricën mund të përfundojë deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa thotë se KE-ja tashmë ka nisur përgatitjet për traktatin, që mund të firmoset vitin që vjen.
“Pas kësaj, vijon procesi i ratifikimit, i cili mund të zgjasë nga një deri në dy vjet, në varësi të asaj çfarë ndodh në vendet anëtare. Kjo do të thotë se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028”, u shpreh Kos.
Mali i Zi konsiderohet vendi kandidat më i avancuar në procesin e anëtarësimit në BE. Deri më tani, Podgorica ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave. Autoritetet malazeze synojnë që negociatat për anëtarësim t’i përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Mali i Zi pritet të jetë vendi i parë që do të përfshihet në zbatimin e rregullave të reja të Komisionit Evropian për vendet kandidate. Më 6 tetor, Komisioni miratoi propozimin për qasjen e re ndaj vendeve që synojnë anëtarësimin në BE.
Komisioni Europian ka bërë të ditur se kjo qasje fillimisht do të zbatohet për marrëveshjen e anëtarësimit me Malin e Zi dhe më pas edhe për traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Zgjerimi i bllokut europian pritet të jetë një nga temat kryesore të samitit të liderëve europianë, që do të mbahet më 15 dhe 16 tetor në Bruksel.
Sakaq, në fund të tetorit KE-ja pritet të prezantojë udhërrëfyesit kuadër për katër vendet që konsiderohen më të avancuara në procesin e anëtarësimit: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, kushti kryesor i të cilave do të jetë ruajtja e ritmit të reformave.
Top Channel