Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Një police, një juriste dhe një akademike! Kush janë 3 gratë që morën drejtimin e shtetit në Kosovë

    Shpërthim me tritol në derën e një banese në Elbasan! Pas ngjarjes autori u largua me biçikletë

    Spanja përballë krizës së strehimit, Sánchez rikthen paketën me 21 masa dhe fondin 10 miliardë euro

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Një police, një juriste dhe një akademike! Kush janë 3 gratë që morën drejtimin e shtetit në Kosovë
    Kosovë

    Një police, një juriste dhe një akademike! Kush janë 3 gratë që morën drejtimin e shtetit në Kosovë

    October 7, 2026
    Një police, një juriste dhe një akademike! Kush janë 3 gratë që morën drejtimin e shtetit në Kosovë

    Kur Justina Shiroka-Pula bëri betimin si presidente e Kosovës, mori fund ngërçi politik por Kosova vazhdoi një traditë të pazakontë për rajonin. Në vetëm 15 vjet, posti më i lartë i shtetit është mbajtur nga tri gra: Atifete Jahjaga, Vjosa Osmani dhe tani Justina Shiroka-Pula.

    Të treja kanë mbërritur në Presidencë në momente të ndryshme dhe përmes rrugëve krejt të ndryshme. Njëra erdhi nga Policia, tjetra nga politika aktive, ndërsa presidentja e re nga universiteti dhe bota akademike.

    Atifete Jahjaga, kolonelja që askush nuk e priste

    Pranvera e vitit 2011 ishte një nga periudhat më të vështira për politikën kosovare.

    Pas shpalljes antikushtetuese të zgjedhjes së Behgjet Pacollit si president, vendi kishte hyrë në krizë institucionale. Partitë nuk po gjenin një zgjidhje dhe Kosova rrezikonte të zhytej edhe më thellë në ngërç.

    Në atë moment doli një emër që pothuajse askush nuk e kishte përmendur.

    Atifete Jahjaga ishte zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Kosovës, me gradën kolonel.

    Sipas dëshmive të kohës, ambasadori amerikan Christopher Dell e telefonoi për ta pyetur nëse pranonte të ishte kandidate për presidente. Pak orë më vonë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli shpallën marrëveshjen që i dha fund krizës politike dhe emri i Jahjagës u bë kandidatura konsensuale.

    E lindur në një familje nga rrethina e Gjakovës, Jahjaga ishte juriste me profesion. Në Policinë e Kosovës hyri në vitin 2000. Karrierën e nisi si përkthyese, më pas punoi në Policinë Kufitare dhe në departamentin e trajnimeve, derisa u ngjit në gradën e koloneles. Gjatë viteve ndoqi edhe trajnime profesionale në Shtetet e Bashkuara.

    Më 7 prill 2011 u zgjodh presidente e Kosovës.

    Mënyra se si u propozua bëri që për vite me radhë ajo të etiketohej si “Presidentja e zarfit”. Shprehja “5 vjet në zarf” mbeti një nga metaforat më të njohura të politikës kosovare, pasi emri i saj u bë publik si pjesë e marrëveshjes që zhbllokoi krizën.

    Megjithatë, Jahjaga e çoi deri në fund mandatin kushtetues, nga 7 prilli 2011 deri më 7 prill 2016. Gjatë presidencës u angazhua veçanërisht për të drejtat e grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

    Vjosa Osmani, nga LDK-ja në Presidencë

    Pesë vite më vonë në Presidencë mbërriti Vjosa Osmani.

    Juriste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, me studime master dhe doktoraturë në Universitetin e Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara, Osmani e nisi karrierën politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Nga viti 2006 deri në vitin 2010 ishte këshilltare e presidentit Fatmir Sejdiu. Në të njëjtën periudhë ishte edhe pjesë e ekipit ligjor që mbrojti shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

    Vjosa Osmani zgjidhet presidente e Kosovës - Shqiptarja.com

    Brenda LDK-së u kthye shpejt në një nga figurat më të votuara, por marrëdhëniet me drejtuesit e partisë u përkeqësuan. Përplasjet me Isa Mustafën çuan në shkarkimin e saj nga të gjitha funksionet drejtuese në vitin 2020.

    Pak muaj më vonë mori vendimin që ndryshoi karrierën e saj politike.

    Krijoi iniciativën “Guxo” dhe në zgjedhjet e vitit 2021 garoi në listën e Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

    Rezultati ishte historik.

    Osmani mori mbi 300 mijë vota personale, duke u bërë politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë.

    Më 4 prill 2021 u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës, pasi kishte ushtruar edhe detyrën e presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

    Gjatë mandatit bashkëpunoi me qeverinë e Albin Kurtit, por me kalimin e viteve u shfaqën edhe dallime për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

    Në prill të vitit 2026 përfundoi mandatin pesëvjeçar pa u rizgjedhur presidente. Një muaj më vonë u rikthye në Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë ku kishte nisur karrierën politike dhe nga e cila ishte larguar gjashtë vite më parë.

    Justina Shiroka-Pula, nga auditorët në Presidencë

    Presidentja e re e Kosovës ndërtoi emrin në auditorë, universitete dhe institucione shkencore, shumë kohë përpara se të rikthehej në qendër të politikës.

    Ekonomiste dhe akademike, ajo është gruaja e parë që drejtoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucioni më i lartë shkencor në vend, i themeluar në vitin 1975.

    E lindur në Prishtinë në vitin 1953, Shiroka-Pula kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në kryeqytet. Në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikat e zhvillimit ekonomik i përfundoi në Zagreb në vitin 1984. Më pas mbrojti doktoraturën në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

    Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, por shumë shpejt iu përkushtua botës universitare. Në vitin 1978 nisi punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku për dekada dha mësim dhe mbajti edhe funksione drejtuese. Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo kreu edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2011 drejtoi Ministrinë e Energjisë dhe Minierave si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa më pas, deri në vitin 2014, ishte deputete e PDK-së në Kuvend.

    Pas luftës u angazhua edhe në shoqërinë civile, duke punuar në projekte që lidhen me fuqizimin e grave, barazinë gjinore, zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësinë.

    Në fund të vitit 2025 u zgjodh unanimisht në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion. Kur mori drejtimin, shpalli si prioritete bashkëpunimin me universitetet dhe akademitë ndërkombëtare, si edhe afrimin e studiuesve të rinj me institucionin.

    Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka Pula.

    Me81 vota në Kuvend, Shiroka-Pula u zgjodh në krye të shtetit dhe në fjalimin e saj të parë premtoi se do të ishte presidente e të gjithë qytetarëve.

    Pak orë pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës, ish-presidentja Atifete Jahjaga e cilësoi këtë një moment me peshë të veçantë për Kosovën dhe një vazhdimësi domethënëse të lidershipit të grave në Zyrën e Presidentes.

    “Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula në detyrën më të lartë të shtetit është një moment me peshë të veçantë për Kosovën dhe një vazhdimësi domethënëse e lidershipit të grave në Zyrën e Presidentes së Republikës”, u shpreh Jahjaga.

    Ajo tha se një jetë e ndërtuar mbi dije, punë, përkushtim dhe integritet tashmë merr përgjegjësinë për t’i shërbyer vendit, për të ruajtur unitetin dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet.

    “Trashëgimia e një institucioni nuk matet vetëm me atë që realizojmë gjatë një mandati, por edhe me rrugët që lëmë të hapura për ata që vijnë pas nesh”, tha ish-presidentja.

    akademike Atifete Jahjaga gratë në drejtimin e shtetit gratë në politikë histori politike Institucionet e Kosovës juriste Justina Shiroka-Pula Kosovë lidershipi i grave police politikë kosovare presidentet e Kosovës Presidentja e Kosovës Prishtinë shteti i Kosovës Vjosa Osmani
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Një police, një juriste dhe një akademike! Kush janë 3 gratë që morën drejtimin e shtetit në Kosovë

    October 7, 2026

    Shpërthim me tritol në derën e një banese në Elbasan! Pas ngjarjes autori u largua me biçikletë

    October 7, 2026

    Spanja përballë krizës së strehimit, Sánchez rikthen paketën me 21 masa dhe fondin 10 miliardë euro

    October 7, 2026

    Shpërthen bombula e gazit në Roskovec, plagoset rëndë 75-vjeçarja

    October 7, 2026
    Mos e humb
    Ekonomi October 2, 2026

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Prej gati dhjetë ditësh, aktiviteti i basteve të paligjshme dhe i call center-ave ilegalë në…

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Kreditorët te dera, gjykata në kërkim të “Top Fruits” të Ejup Ahmetit dhe Marin Gjonajt: Paraqituni në gjyq

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Mijëra protestues në Spanjë për krizën e strehimit, kërkohet mbrojtje më e madhe për qiramarrësit

    “Paratë po vijnë”: 3 shenja të Horoskopit që hyjnë në një periudhë të begatë më 4 tetor

    Horoskopi i ditës: Surpriza në dashuri, mundësi të reja dhe kujdes me financat – çfarë kanë rezervuar yjet për 12 shenjat

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.